Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi në rastin gjyqësor “Thaçit dhe të tjerëve”.
Ndryshe në seancat e javës së kaluar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë përfunduar dëshmitë dëshmitarët e 18-të dhe 19-të të thirrur nga Prokuroria.
Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në sallën e gjyqit nga Prokuroria, dëshmia e dëshmitarit të 19-të ishte në lidhje me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar e anëtarit të familjes së dëshmitarit në Drenoc.
Më 16 gusht Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me kontaktin me një dëshmitar të caktuar.
Mbrojtja e Thaҫit kërkoi që të shfuqizohet protokolli që rregullon kontaktet me dëshmitarët në lidhje me këtë dëshmitar, bazuar në njoftimin e Prokurorisë se ka vendosur të mos e thërrasë këtë dëshmitar në këtë fazë të procesit, raporton RTKlive.
Trupi Gjykues konstatoi se protokolli vazhdon të jetë në fuqi, sepse Prokuroria ende ka ndër mend ta thërrasë dëshmitarin, por në një fazë të mëvonshme të procesit. Trupi Gjykues sqaroi gjithashtu se sa herë që Prokuroria të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar për të cilin ka njoftuar më parë, ajo duhet ta informojë Mbrojtjen, sepse në këto raste protokolli pushon së qeni në fuqi. Rrjedhimisht, Prokuroria duhet që ta rishikojë në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme listën e dëshmitarëve të saj dhe të njoftojë pa vonesë Mbrojtjen sa herë të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar të caktuar.
Hashim Thaçi, i cili është i akuzuar nga DHSK ka qëndruar për një vizitë familjare në vendlindje.
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha për RTKlive se Trupi Gjykues për arsye detyruese humanitare e ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për takim me familjen.
“I akuzuari mbetet në ndalim dhe nën përkujdesjen e Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës në këtë drejtim”, tha ai.