Ka ndërruar jetë sot në moshën 77-vjeçare mësuesi Osman Jakupi nga fshati Baks i komunës së Skenderajt, shkruan rajoni.org.
Mesuesi Osman një jetë të tërë ia kushtoi arsimit dhe edukimit të brezave. Për katër dekada me radhë shërbeu me përkushtim, zell dhe përgjegjësi në edukimin e nxënësve, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në komunitet.
Gjatë luftës së fundit, mësuesi Osman Jakupi u arrestua dhe u burgos politikisht nga forcat okupatore serbe. Pasi serbët vranë vëllain e tij, Haxhiun, si dhe dy djemt e vëllait, Fazliun dhe Muhametin i cili ishte ende fëmijë, ata e arrestuan dhe e torturuan rëndë, duke i shkaktuar plagë fizike dhe shpirtërore.
Gjatë burgosjes, mësuesi Osman ishte i brengosur për fatin e dy djemve të tij — siç i quante me përkëdheli Meni dhe Gazi — si dhe për djemtë e vëllait, Avnin dhe Bajramin. Ai nuk kishte asnjë informacion nëse kishin shpëtuar nga sulmi barbar i forcave serbe. Dhimbjen, mallin dhe shqetësimin i shprehte përmes letrave që i dërgonte nga burgu përmes Kryqit të Kuq.
Edhe pas luftës, mësuesi Osman vazhdoi punën e tij fisnike në edukimin e brezave. Pas pensionimit, ai u përball me sëmundje të rënda, të cilat u shfaqën si pasojë e torturave dhe vuajtjeve që kishte përjetuar gjatë kohës së luftës.
Varrimi i mësuesit Osman bëhet nesër në ora 14.00 në varrezat e lagjës së ulët në Baks.