Nga Klinë e Mesme e Skenderajt vijnë dy vëllezër që kanë ndërtuar një histori të suksesshme në Polch të Gjermanisë me kompaninë e tyre B&B. Behari dhe Berati kanë arritur të fitojnë respektin dhe mirënjohjen jo vetëm nga bashkatdhetarët, por edhe nga gjermanët, falë përkushtimit dhe korrektësisë së tyre në biznes, shkruan portali rajoni.org.
Duke ardhur nga një familje autoritative, ata kanë bartur me vete vlerat e ndershmërisë dhe humanizmit, të cilat i pasqyrojnë në punën e përditshme. Kompania e tyre numëron 15 punëtorë shqiptarë dhe është një shembull i qartë i përkushtimit dhe mbështetjes që ofrojnë për bashkëkombësit e tyre.
Përveç arritjeve në fushën e biznesit, këta vëllezër njihen edhe për veprat e tyre humanitare. Ata gjithmonë janë të gatshëm të ndihmojnë shqiptarët që kërkojnë mundësi në Gjermani, duke u ofruar jo vetëm punë, por edhe mbështetje morale. Për shkak të korrektësisë dhe përkushtimit ndaj cilësisë, ata kanë fituar një autoritet të fuqishëm në vendin ku operojnë, duke ngritur lart emrin e shqiptarëve në një shtet të fuqishëm si Gjermania.
Behrari dhe Berati janë një shembull frymëzues i asaj se si puna e ndershme, respekti për të tjerët dhe humanizmi mund të sjellin sukses të vërtetë, jo vetëm për veten, por edhe për të gjithë komunitetin shqiptar.