E shtunë, 26 Tetor, 2024

Vendimi skandaloz i shkallës së parë të Gjykatës Komerciale: Devollët i marrin me përmbarues Telekomit 5.7 milionë euro edhe pse shkalla e dytë e kishte udhëzuar të veprojë ndryshe

Të premten pasdite shkalla e parë e Gjykatës Komerciale me një vendim të befasishëm dhe tejet skandaloz vendosi në favorë të biznesmenit Blerim Devolli dhe kompanisë së tij “Dardafon.net” që përmes përmbarimit t’i merren 5.7 milionë euro Telekomit të Kosovës.
Gjykatësi Hasan Kryeziu duke mos marrë parasysh asnjë urdhëzim të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale , i kishte llogaritur mirë edhe ditë e festave që janë pushim (të hënën) në mënyrë që ky vendim të kishte sa më pak kohë për tu ankimuar  nga ana e Telekomit të Kosovës dhe kështu çështja të shkonte sa më shpejtë me përmbarim.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës sot u paraqit në një konferencë të jashtëzakonshme për media duke shprehur dyshime për manipulim në sistemin e drejtësisë, lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale për rastin e 5.7 milionëve, duke e vlerësuar si të jashtëligjshëm, me elemente të qarta kriminale nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës.

Drejtuesja e Telekomit të Kosovës znj.Burbuqe Hana deklaroi para mediave se ky është vendim i parpritur i Gjykatës Komerciale duke thënë se është një skenar kriminal për plaçkitjen e 5.7 milion eurove.

“Gjatë kohës që Telekomi i Kosovës po e priste ftesën për mbajtjen e seancës përgatitore dhe për zgjedhjen e institucionit që do të bënte ekspertizën financiare, sipas direktivave të  dhomës së shkallës së dytë, siç kërkohet nga neni 199 i LPK-së, me datën 16 shkurt, 2024 e pranuam aktvendimin e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, i marrë në të njëjtën ditë dhe në mënyrë tërësisht abuzive nga gjyqtari i çështjes, pa i mbajtur asnjë seancë ku palët do të mund t’i paraqisnin pretendimet dhe provat e tyre dhe pa e caktuar farë ekspertizën financiare, siç kërkohet në vendimin e shkallës së dytë”, deklaroi Burbuqe Hana, kryeshefe e Telekomit.

Nëpërmjet këtij aktvendimi lihet në fuqi urdhri përmbarimor i lëshuar më 2019, i cili hap rrugën e bllokimit të llogarive bankare të Telekomit dhe grabitjen e shumës pre 5.7 milionë euro.

Tutje, Hana tha se Telekomi ka paguar shumën mbi 40 milionë euro në emër të vendimit të arbitrazhit, ndonëse vendimi nga obligimi i tij ishte rreth 27 milionë euro, duke u detyruar, kështu, Telekomin të paguaj mbi 13 milionë euro më tepër.

Sipas saj, kjo plaçkitje në mbi 5.7 milionë euro, që duhet paguar, rezulton të jetë një pagesë e tërësishme në mbi 19 milionë euro nga shuma e obliguar, sipas vendimit të arbitrazhit.

Ajo më tej shtoi se të gjitha këto pagesa të tepërta janë bërë si pasojë e vendimeve të gabuara të gjykatave, si dhe të kthimeve të njëpasnjëshme në rigjykim të kësaj çështjeje deri  në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne jemi të bindur se ky aktvendim përveç që është i jashtëligjshëm, ka edhe element të qarta kriminale nëpërmjet të cilave synohet t’i bëhet një dëm i pariparueshëm Telekomit të Kosovës”, tha mes tjerash, Hana.

Sipas Telekomit gjyqtari i rastit Hasan Kryeziu në vendimin e tij përpiqet të manipulojë me qëndrimin e Telekomit të Kosovës se kinse Telekomi po e mohon lartësinë e detyrimit të vendimit të arbitrazhit. Kjo s’është aspak e vërtetë dhe mund të vërtetohet në të gjitha shkresat e lëndës. E vërteta është se Telekomi jo vetëm që e ka njohur lartësinë e obligimit të dalë nga aribtrazhi, por edhe ka paguar mbi 13 milionë € më tepër. Për këtë mbi pagesë Shkalla e Dytë me të drejtë ka kërkuar që të bëhet ekspertizë financiare nga ndonjë kompani e licencuar e auditimit. Prandaj themi se vetëm ekspertiza financiare e vendos drejtësinë në këtë çështje.

Pjesë nga vendimi i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale

Më 30.11.2023  shkalla e  dytë e Gjykatës Komerciale e kishte kthyer për të tretën herë këtë çështje  në rigjykim  duke i dhënë  të drejtë Telekomit të Kosovës. Në këtë vendimi të cilin e pati publikuar KosovaNews gjyqtari Faton Bajrami kishte urdhëruar shkallën e parë për  ndërrimin e gjyqtarit që në atë kohë ishte Alajdim Tërshnjaku  por çka është e rëndësishme  në paragrafin e parafundit të faqes së 5-të, kërkon nga Dhoma e Shkallës së Parë që për rigjykim të angazhojë ndonjë institucion ose kompani të licencuar të auditimit, me qëllim që ta hartojë ekspertizën financiare e cila do t’i definojë obligimet e sakta të palëve.

Gjyqtari Hasan Kryeziu nuk e merr parasyshë asnjë kërkesë të shkallës së dytë të Komerciales, pa ekspertizë, pa mbajtur asnjë seancë në mes të palëve , vendos në favor të Devollëve

Skenari i plaçkitjes së 5.7 milion eurove përmes përmbaruesit tashmë është i qartë dhe pjesë e këtij skenari si duket janë edhe disa gjykatës të Gjykatës Komerciale të cilët po vedosin në favor të kompanive të Devollëve duke i shkelur haptazi vendimet dhe urdhëresat e shkallës më të lartë të Gjykatës Komerciale.

Po ashtu, në paragrafin e parafundit të faqes së 6-të të vendimit të Shkallës së Dytë, nga Shkalla e Parë kërkohet të veprojë në përputhje me Nenin 199 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore.

Në nenin 199 thuhet: Gjykata e çështjes e ka për detyrë që, pasi t’i arrijë aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, menjëherë ta caktojë seancën përgatitore apo seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes, e cila duhet të mbahet më së voni tridhjetë (30) ditë pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj.

Është pikërisht ky nen i procedurës përmbarimore të cilin gjyqtari Hasan Kryesiu nuk e mori parasysh fare duke u shkelur kështu haptazi ligjin në të cilin thirret vet ai në vendimet që merr.

Ky vendim skandaloz i këtij gjyqtari tashmë i hap rrugë bllokimit të llogarive të Telekomit të Kosovës me anë të procedurës përmbarimore ku më pastaj kompanisë Z-Mobile i mundësohet tërheqja e 5.7 milionë euro nga xhirollogaritë e Telekomit.

Pra përderisa çështja është ende në gjykim dhe tashmë Telekomi i Kosovës do ta ankimoi në shkallën e dytë të Gjykatës Komerciale e cila për tre herë radhazi ka vendosur në favor të Telekomit të Kosovës ky vendim pritet të ekzekutohet.
Pasi të ekzekutohet vendimi edhe nëse Telekomi e fiton këtë kontest me kompaninë e Blerim Devollit paret do të merren dhe gjirollogaritë bankare të “Dardafon.net” do të zbrazen  duke u pamundësuar kështu kthimi i këtyre parave.
Duke qenë se kompania “Dardafon.net” më nuk ekziston dhe nuk ka asnjë aset në emër të saj telekomi nuk ka më asnjë mundësi ligjore t’i kthejë këto mjete pasiqë në bazë të ligjit për shoqëritë tregtare nëse një kompani SH.P.K e humb ndonjë kontest gjyqësor asaj mund t’i bllokohen gjirollogaritë bankare dhe asetet por nuk mund të ndiqen pronarët e kësaj SHPK-je.

Gjithë këtë alarm e kanë ngritur sot edhe udhëheqësit e telekomit duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale që të merren masa sa më parë përpara se të avollohen 5.7 milionë euro të Telekomit .

Telekomi i Kosovës të njëjtin kontest e ka fituar edhe me Gjykatë Kushtetuese ku gjykata në fjalë  në Aktgjykimin e saj  ka bërë thirrje për gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke i dhënë të drejtë Telekomit pasiqë në vendimet e gjykatave kishte pasur shkelje të ligjit dhe procedurave.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer