Një video e postuar në rrjete sociale ku shfaqen të rinj duke mbajtur armë, thika dhe shufra metalike në dorë ka nxitur reagimin e Policisë në Skenderaj, që ka identifikuar dhe intervistuar tre persona – dy të mitur dhe një të rritur.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se videoja është realizuar në fshatin Polac, ndërsa personat e përfshirë janë: Halim Hoti, 20 vjeçar E.A. 14 vjeçar,V.H. 16 vjeçar.
Të miturit, të cilët janë nxënës në shkollat e zonës, janë shoqëruar në Stacionin Policor dhe janë intervistuar në prani të avokatëve dhe punonjësve të Qendrës për Punë Sociale. Ata kanë pranuar se janë personat në video, por kanë mohuar se armët, thikat apo shufrat që shihen në incizim janë të tyre.
Ndërkohë, Halim Hoti, i dyshuari i rritur, është paraqitur vetë në stacionin policor, ku ka pranuar se thika e paraqitur në video është e tij dhe e ka dorëzuar atë. Sa i përket armës dhe shufrës metalike, ai ka pretenduar se nuk janë në pronësi të tij dhe ka shtuar se arma në fjalë është vetëm një shkrepëse që imiton armën e vërtetë
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është inicuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës” dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Hetimet janë në vazhdim për të konfirmuar origjinën dhe natyrën e armës që shfaqet në video, si dhe për të verifikuar përgjegjësinë individuale të të dyshuarve.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.