Deklarimet e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për numrin e madh të të punësuarve këtë mandat, po konsiderohen si të pavërteta dhe joreale nga njohësit e çështjeve ekonomike.
Sipas tyre, është e pamundur të punësohen për 30 muaj mbi 32 mijë punëtorë, përderisa ka rënie të investimeve kapitale e mungesë të investitorëve të huaj. Shkaktarin kryesor e shohin krizën në veri të vendit.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për Ekonomia Online, se këto shifra nuk janë reale, krahasuar me ikjen e të rinjve.
Shqetësuese e sheh edhe numrin e madh të atyre që nuk kërkojnë punë, pasi sipas tij, nuk shohin të ardhme në vend.
“Është e vërtete që nëse i analizoni të dhënat statistikore qoftë në statistika apo edhe te Ministria e Financave vërtetë ka hapësire për të dëshiruar që ato shifra të jenë reale dhe vërtetë të prekshme për realitetin kosovarë. Ajo çka po dëshmohet në Kosovë çdo ditë e më tepër është fakti që statistika po e merr një definicion tjetër, po jep rezultate të sakta të dhënave të gabuara. E them këtë bazuar në katër indikatorë. Nëse e analizoni raportin e statistikave në Kosovë, ka 1190 qytetarë të gjinisë femërore dhe mashkullore, të cilët janë në moshën 18 deri 65 vjeç apo të gatshëm për punë”, ka thënë Gërxhaliu.
“Në Kosovë janë të punësuar afër 410 mijë njerëz, si në sektorin privat po ashtu edhe në sektorin publik dhe nëse i analizoni kërkesat për punë, byrotë për punësim apo agjencionet e punësimit i keni edhe 51 mijë të tjerë që presin punë dhe po e shihni që është diskutabile kush është fati i afro 729 mijë kosovarëve që nuk janë të evidentuar, nuk presin shpresë që mund të punësohen dhe nuk paraqitën për të kërkuar punë. A është kjo një fluks i migrimit apo çfarë është në të vërtetë? Për mua është një indikator shqetësues. Në këtë drejtim mendoj që Kosova ka nevojë për konkretizim të projekteve për shifra dhe indikatorë vërtetë të qëndrueshëm dhe jo statistika politike të cilat shumë më tepër po e irritojnë qytetarin e Kosovës sesa që po e motivojnë për të qëndruar në Kosovë”, u shpreh Gërxhaliu.
E për mungesë të investimeve të huaja, Gërxhaliu fajtor e lë situatën në Kosovë. Krizat në vend sipas tij janë fajtori kryesor që Kosova për tri vite nuk ka investitorë.
“Sa investime dhe investitorë të huaj kemi pasur në Kosovë në 3 vitet e fundit? Sa kompani kanë hapë nga 100 vende të punës, të huaja apo vendore dhe nuk jetohet nëse mendohet që rritja ekonomike ndërtohet nga konsumi dhe një konsum i tillë vjen shumë më tepër nga remitancat dhe këto remitanca si investime që llogaritën në Kosovë janë shumë më tepër 724 milionë që shkojnë në patundshmëri. Prandaj vërtetë duhet të mendohet një mënyrë pak më aktive në këtë drejtim të mos jetë gjithmonë ajo qasja politike që t’i devijojë këta numra dhe këta indikatorë Kosovës”, ka thënë ai.
Mospajtime për numrin e të punësuarve ka edhe kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj. Sipas tij, shifrat e ministrit Murati nuk janë reale, nëse krahasohen me migrimin.
“Deklarimin e ministrit (Hekuran Murati) unë mundë të them ia kisha shtuar edhe një pyetje. Sa është shifra e atyre të cilët e kanë lëshuar vendin e punës, dhe kanë lëshuar edhe Kosovën për një jetë më të mirë? Nëse e bëjmë një balancim i bie që dallimi është shumë i vogël mes atyre që janë punësuar dhe atyre që e kane liruar vendin e punës. Qeveria duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë sepse sektori privat është vendi kyç i cili e bënë zhvillimin edhe punësimin. Pa e mbështetur sektorin privat, ne nuk mund të gëzohemi për lajme të cilat do të priten për ditë me të mira në sektorin privat”, u shpreh Dreshaj.