Dy persona janë arrestuar këtë të martë në Gjakovë, pasi dyshohen për përfshirje në një rast të vjedhjes së rëndë.
Sipas policisë, të njëjtit në rrugën “Gaspër Karaqi” nga depoja e një biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshme në vlerë 100 mijë euro.
“Me datën 24.10.2023 rreth orës 10:55, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur për të, kishin depërtuar brenda objektit të biznesit të tij në rrugën ‘Gaspër Karaqi’ në Gjakovë, dhe nga depoja e këtij biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshëm (veshmbathje, bizhuteri, gjësende të ndryshme shtëpiakë etj.) në vlerë rreth 100 000 (njëqind mijë) euro”, thuhet në njoftimin për media.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht hetuesitë policorë në kuadër të Sektori Rajonal të Hetimeve, menjëherë ju kanë përgjigjur rastit dhe është filluar me hetime intensive për gjetjen dhe identifikimin e të dyshuarve. Pas një hetimi të gjerë është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar”.
Të dyshuarit janë D.T, i lindur në vitin 2000, dhe Q. L., i lindur në vitin 1990, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
“Mbi dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje janë të përfshirë në rastin e vjedhjes. Lidhur me rastin, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në një objekt biznesi po ashtu në rrugën ‘Gaspër Karaqi’, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa pako me mallra të ndryshëm të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundër ligjshme me rastin e kryerjes se veprës penale të raportuar”.
“Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit, pasi që janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, me aktvendim, janë dërguar në mbajtje, ndërsa mallrat e sekuestruar iu janë kthyer pronarit”, përfundon njoftimi.