E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Vrasja e rreshterit në veri, deklarohet kryeprokurori Blerim Isufaj

Policia e Kosovës është gjuajtur me arsenal armësh (granata dore e zollë), në fshatin Banjskë, për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe mbet i plagosur polici i njësisë Kufitare Alban Rashiti. Policia informoi edhe për lëndimin e një tjetër pjesëtari të saj aty.

Lidhur me tensionet që ndodhën në hyrje të fshatit Banjskë, kryeministri Albin Kurti njoftoi për mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës.

Për sulmin që ndodhi në Veri, Gazeta Express ka kontaktuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili u zotua se krejt çka është e nevojshme për këtë situatë do ta bëjë prokuroria.

“Krejt çka është e nevojshme ne si prokurori do ta bëjmë”, tha Isufaj shkurt për Gazetën Express.

Si ndodhi ngjarja tragjike në Veri?

Policia informoi se sot rreth orës 02:34 njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë ishin vendosur dy mjetet të rënda kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta u bllokua.

“Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë. Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri”.

Policët e plagosur më pas u dërguan në Spitalin Rajonal në Mitrovicën e Jugut, por aty u konfirmua vdekja e policit Afrim Bunjaku.

Ndërsa, dy policët e tjerë ndodheshin jashtë rrezikut për jetë.

Nazmi Kolgeci, Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK, tha se polici Alban Rashiti ka gjendje stabile. Të njëjtit i është hequr predha metalike pas intervenimit që i është nënshtruar.

“Sot në orët e hershme të mëngjësit e kemi pranu një pacient, i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i njëjti ka pasur lëndim me armë të zjarrit. Lëndimi është në regjionin e krahut të majtë, intervenimi është bë në Kirurgjinë Torakale. Është bërë heqja e predhës, gjendja e pacientit është stabile, e ka një lëndim edhe në këmbën e djathtë nga arma e zjarrit”, tha Kolgeci për Gazetën Express.

Policia informoi se njësitë policore kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme “nga grupe të organizuara dhe të armatosura”.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor”, informoi policia.

Kryeministri Kurti e dënoi këtë sulm, të cilin e quajti kriminal e terrorist.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, deklaroi Kurti.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës.

Ambasadori Hovenier tha se autorët duhet të sillen para drejtësisë.

“Dënojnë ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. PK ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të sillen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet në emër të Shteteve të Bashkuara familjes për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës të vrarë në krye të detyrës”, thuhet në reagimin e tij.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se “vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.”

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer