Një javë ka kaluar nga vrasja e 39-vjeçarit N.L., dhe plagosja e tre personave tjerë brenda një lokali të natës në Runik të Skënderajt, të dyshuarit që hynë të armatosur e të maskuar aty ndodhen akoma në arrati. E kontaktuar nga Gazeta Express, prokurorja e rastit Fetije Bajrami, tha se janë duke u zhvilluar hetime intensive për zbardhjen e këtij rasti.
Prokurorja Bajrami tha se janë mbledhë prova, përfshirë marrjen e telefonave dhe marrjen e deklaratave.
“Duke zhvillu hetime intensive jena, në këtë fazë jena duke mbledhë prova, jemi duke bërë hetime intensive. Kena marrë edhe deklarata, kena marrë edhe telefona, jena duke punu intensivisht”, tha të enjten prokurorja Bajrami për Gazetën Express.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.
Policia kishte konfirmuar se të shtënat me armë zjarri ndodhën rreth orës 01:21 më 10 gusht.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gëzhoja plumbash.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, informoi policia.
Policia gjithashtu njoftoi se po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, u tha në njoftimin e PK-së.
Me urdhër të prokurores trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërsa nga QKUK u bë e ditur se njërit prej të plagosurve i është amputuar këmba, teksa një është dërguar për tretman mjekësor në Zvicër, pasi i njëjti jeton dhe vepron në Zvicër.
Pas rastit është pronencuar për media një dëshmitar, sipas tij kanë qenë mbi 10 persona në momentin kur në lokal ka pasur gjuajtje me armë zjarri.
Ai ka thënë se aty është shtënë me kallashnikov dhe e ka parë një njeri të maskuar me uniformë ushtarake.
I njëjti ka deklaruar se edhe pasi kishin pushuar të shtënat me armë zjarri, askush nuk kishte lëvizuar për pesë minuta.