E enjte, 16 Janar, 2025

Vrasja te tregu në Mitrovicë, prokurori kërkon dënim maksimal, mbrojtja lirimin e të akuzuarit

Prizren – Në fjalën përfundimtare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, mbrojtësi i të akuzuarit Shefki Asllani, avokati Mahmut Halimi, ka kërkuar nga gjykata që i njëjti të shpallet i pafajshëm, ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar kërkoi dënimin e tij.

Prokurori Genc Nixha, fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar gjykatës në formë të shkruar dhe gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënimin maksimal të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati i palës së dëmtuar, Lutfi Fazliju, së bashku me Shpëtim Mehmetin, gjithashtu fjalën përfundimtare e kanë dorëzuar gjykatës në formë të shkruar, duke theksuar se vrasja e kryer nga ana e të akuzuarit Asllani është një vrasje e kryer me paramendim dhe se i ndjeri ishte duke kryer vetëm punën e tij.

Avokati i të akuzuarit Shefki Asllani, Halimi, gjithashtu ka dorëzuar gjykatës fjalën përfundimtare në formë të shkruar, duke i theksuar gjithashtu gjykatës që të merren parasysh edhe ekspertizat e dhëna nga ana e ekspertëve të forenzikës së psikiatrisë dhe balistikës.

Ndërsa, i akuzuari Asllani ka deklaruar se ndjen keqardhje dhe dhimbje për atë se çfarë ka ndodhur dhe gjithashtu ka deklaruar se nuk ndjehet fajtor.

“Pajtohem me avokatin tim ndjehem keq dhe ndjej keqardhje  e dhimbje për atë se çfarë ka ndodhur, por nuk ndihem fajtor”, tha Asllani.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo Gjykatë kishte pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, e si pasojë e lëndimeve vdes.

Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer