Është protestuar të premten para Prokurorisë Speciale në Prishtinë me rastin e 7-vjetorit të vrasjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Organizata Studentore, Studim Kritikë dhe Veprim(SKV), për shkak të neglizhencës së Prokurorisë në hetimin e vrasjes së Deharit, ka kërkuar drejtësi për vrasjen e Deharit.
“Drejtësi për babin”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Prokurori mos fli”, Unë jam Astriti”, ishin thirrjet e protestuesve para institucionit të prokurorisë.
Të pranishëm në këtë protestë ishin bashkëshortja, vajza dhe prindërit e Astrit Deharit, si dhe avokati i rastit, të cilët deklaruan para Prokurorisë Speciale se vrasja e Deharit ishte për qëllime politike dhe për të njëjtat arsyeje po fshehët edhe sot vrasësi i të ndjerit Dehari.
Avokati i të ndjerit, Astrit Dehari, Tomë Gashi tha se edhe pse prokuroria do të duhej të ishte institucion shtetëror i besueshëm, e njëjta po i fsheh provat për vrasjen e Deharit. Ai tha se prokuroria i ka të gjitha provat për vrasjen e Deharit, por nuk jep asnjë informatë as familjes së të ndjerit e as nuk e zbardhë rastin.
“Pasnesër bëhen shtatë vjet nga vrasja mizore e Astrit Deharit e cila ka ndodhur faktikisht në duar të shtetit, në qendrën e paraburgimit në Prizren. Deri më tani Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e cila ka më tepër se pesë vite që e ka marrë këtë rast dhe që pasnesër po bëhen shtatë vjet nga hetimi i këtij rasti, nuk e ka përfunduar rastin ashti siç provat tregojnë. Prokuroria e din më mirë se të gjithë, sepse i ka të gjithë provat se pse Astrit Dehari është vrarë. Mirëpo, ne nuk i dimë arsyeje por besojmë se nuk janë arsyeje ligjore për çfarë arsyeje Prokuroria deri më tani nuk ka nxjerr deri më tani asnjë aktvendim për zhvillimin e hetimeve në drejtim të zbulimit të vrasësve të Astrit Deharit dhe zbulimin e emrave të atyre që i shtyjnë persona të caktuar për vrasje dhe në zbulimin e emrave të cilët deri më tani e kanë fshehur vrasjen e Astrit Deharit. Ne mendojmë se vrasja e Astrit Deharit është duke u fshehur nga kjo prokurori përballë këtu dhe nuk dimë se për çfarë arsyeje prokurori i çështjes, respektivisht Prokuroria si institucioni që do të ishte më i besuari në shtetin tonë nuk jep asnjë informatë se çfarë po ndodhë me këtë rast dhe është hermetikisht e mbyllur edhe në raport me familjen e Deharit”, tha Gashi.
Po ashtu, babai i të ndjerit Astrit Deharit, Avni Dehari u shpreh se vrasja e Astritit ka qenë një inskenim për qëllime politike dhe jo për veprën që ai ka bërë.
“Po kërkojmë drejtësi për vrasjen e Astritit në burgun e Prizrenit, që ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës flet vet fakti se gjithë shokët e Astriti janë shpallur të pafajshëm do të thotë ka qenë një inskenim për qëllime politike e jo për veprën që është bërë. Qe shtatë vjet drejtësia është peng në duar të Prokurorisë një Prokurori e mirëfilltë për një rast si të Astritit që është vrarë në burgun e Prizrenit mos për shtatë ditë, mos për shtatë javë, për shtatë muaj do të duhet të zbardhte këtë rast, vet fakti qe shtatë vjet nuk e zbardh rastin flet shumë se është një drejtësi e manipuluar në vet prokurorët. Si duket edhe prokurori i parë Sylë Hoxha edhe ky prokurori i dytë Afrim Shefkiu e kanë ngatërruar detyrën tyre, e kanë harruar qëllimisht profesionin e tyre një prokuror ka për qëllim të ndjek dorën e krimit, të ndjek vrasësin dhe të zbardhë viktimën. Këtu po ndodhë e kundërta të dy këta prokurorë bëjnë çmos të fshehin dorën e vrasësit, të fshehin krimin dhe të ndëshkojnë viktimën, kjo bie ndesh me gjitha normat juridike, mbarë botën jo vetëm në Kosovë” u shpreh Dehari
Edhe, përfaqësuesi i Organizatës Studentore, , Studim Kritikë dhe Veprim(SKV), Denis Krasniqi tha se nuk do të ndalen derisa drejtësia të zbardhet për Astritin.
“Tash e shtatë vjet, familja Dehari nuk po gjejnë drejtësi për burrin, babain, djalin e tyre Astrit Deharin. Tash e shtatë vjet ne nuk kemi drejtësi për aktivistin, shokun udhërrëfyesin, mësuesin simbolin e ekzistencës, Astrit Deharin. Ky sistem i vrazhdë i drejtësisë e mori padrejtësisht Astritin, e mbajti padrejtësisht Astritin e në duar të këtij sistemi Astriti u vra. E tash mbas shtatë vite ky sistem nuk po jep drejtësi për Astritin. E ne nuk do të ndalemi për Astritin deri sa drejtësia të vijë në vend”, tha Krasniqi.