E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Zbulimi në Drenas: Altari i shekullit III dëshmon edhe rrugën kryesore nëpër Prizren

Gjetje me peshë është cilësuar të shtunën altari i shekullit III i zbuluar në Kalanë e Vuçakut në Drenas. “Ende nuk kemi një opinion përfundimtar, por që është një gjetje shumë e veçantë. Tregon se rruga kryesore, që ka kaluar nga Adriatiku në drejtim të Ballkanit Qendror, konkretisht rruga Nissus ka kaluar nga Prizreni, ka vazhduar në Rrafshin e Kosovës duke kaluar nga Malisheva, për të dalë ndërmjet dy kalave: Kalasë së Llapushnikut dhe Kalasë së Vuçakut. Është takuar me rrugën për në Shkup më pas”, ka thënë arkeologu Shafi Gashi për KOHËN

Një altar romak i shekullit III është zbuluar në Kalanë e Vuçakut në Drenas. Është artefakt me peshë si shenjë e gjurmë që flet për mijëra vjet pas. Ishte ripërdorur si mjet ndërtimi i murit rrethues të kalasë që daton rreth shekujve V-VI. Mesazhi është ende në proces zbërthimi, por sipas arkeologëve, “lajmëtari” mund të ishte punonjës administrativ.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka qenë i shpejtë të shtunën në dhënien e lajmit për këtë gjetje arkeologjike.

“Vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut në Drenas, tashmë kemi zbulimin e parë tejet të rëndësishëm.  Ekipi i ekspertëve, i përbërë nga arkeologu Shafi Gashi, Sali Islami dhe Arbnor Morina, në murin rrethues të kalasë kanë zbuluar një altar romak të gjysmës së parë të shek. III, pas Krishtit. Objekti është një spolie e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 p. Kr)”, ka shkruar ministri Çeku, duke e konsideruar altarin të rëndësisë së veçantë dhe si tregues i vazhdimësisë së jetesës që nga parahistoria.

Arkeologu Shafi Gashi pjesëtar i ekipit në terren, ka thënë për KOHËN se fokusi kishte qenë pastrimi i strukturave arkitekturore të cilat kishin ngelur pa u konservuar.

“Kemi hasur në një objekt që në pamje të parë duket se është altar i viteve 228-239 që është ripërdorur si material ndërtimor në ndërtimin e Kalasë së Vuçakut, konkretisht murit rrethues që i takon përafërsisht shekullit V-VI të erës sonë. Objekte të shekullit III nuk kemi gjetur në kala, por poshtë kalasë, në zonën fushore, ka gjurmë edhe të periudhës klasike romake dhe si duket ky altar është marrë dhe është ripërdorur për efekte ndërtimore në murin e kalasë”, ka thënë Gashi, pak orë pasi është dhënë lajmi për këtë zbulim.

Gjetjet arkeologjike dëshmojnë që jeta në Kalanë e Vuçakut ka filluar që nga periudha e gurit (neoliti) dhe ka vazhduar edhe në periudhën e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme (Foto: Ministria e Kulturës)

Ka thënë se janë në fazë të transkriptimit dhe zbërthimit të tekstit.

“Ende nuk kemi një opinion përfundimtar, por që është një gjetje shumë e veçantë. Tregon se rruga kryesore, që ka kaluar nga Adriatiku në drejtim të Ballkanit Qendror, konkretisht rruga Nisus ka kaluar nga Prizreni, ka vazhduar në Rrafshin e Kosovës duke kaluar nga Malisheva, për të dalë ndërmjet dy kalave: Kalasë së Llapushnikut dhe Kalasë së Vuçakut. Është takuar me rrugën për në Shkup më pas”, ka thënë ai për KOHËN.

Por arkeologu Gashi bën të ditur se nga  “leximi” i shenjave në altar flitet për një punonjës që mblidhte taksa dhe se tregon për organizimin administrativ të asaj kohe.

“Ky është një zbulim shumë i veçantë sepse flet për një person që me gjasë ka qenë në shërbim në tri stacioneve doganore ose mbledhje të taksave dhe përmend qytete ku ka shërbyer dhe tash i fundit si duket ka qenë stacioni apo hapësira në afërsi të Kalasë së Vuçakut. Tregon për organizimin administrativ dhe se kujt ia ka kushtuar. Përmend perandorin dhe periudhën kur është ndërtuar, pra 228-229 pas Krishtit”, ka thënë Gashi derisa e ka vlerësuar altarin e gjetur si provë për të nxjerrë konkluzione mbi organizimin shoqëror të asaj kohe.

“I vetmi mbishkrim i tillë që është zbuluar në Kosovë, por që është shumë i fragmentuar, është një mbishkrim me të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtën kronologji në Terstenik të Drenicës. Mund të jetë një dëshmi e mirë për të nxjerrë konkluzione mbi organizimin shoqëror, ekonomik e elemente të tjera të shekullit III”, ka thënë ai më tej.

Ka thënë se përgjatë tri viteve të gërmimeve arkeologjike aty ishte konstatuar se jeta në atë monument kishte filluar që nga periudha ilire e bronzit. Ishin zbuluar shumë “gjurmë arkitektonike, si një kishë paleokristiane në vitin 2017 e shekujve IV-VI të kohës sonë, muret fortifikuese të shoqëruara me shumë porta, kulla e të tjera”. Gashi ka bërë të ditur se altari i gjetur është shumë i veçantë dhe në gjendje të mirë.

“Në pamje të parë duket se është altar i viteve 228-239 që është ripërdorur si material ndërtimor në ndërtimin e Kalasë së Vuçakut, konkretisht murit rrethues që i takon përafërsisht shekullit V-VI të erës sonë” (Foto: Ministria e Kulturës)

Sipas tij, është vetëm një objekt i tillë arkeologjik që ishte gjetur në fshatin Terstenik të Drenasit. 
Kalaja e Vuçakut ndodhet rreth 12 kilometra në jugperëndim të Drenasit.

E vendosur në një lartësi mbidetare prej 940 metrash, kalaja zotëronte një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik duke shërbyer edhe si urëlidhëse në mes të rrafshit të Dukagjinit dhe një pjese të madhe të rrafshit të Kosovës.

Është e ndërtuar mbi dy kreshta shkëmbore. Qysh herët banorët kishin nisur të gjejnë artefakte të ndryshme aty si enë tryeze, amfora transporti, balsamarium e të tjera. Kalaja e Vuçakut e tërhoqi vëmendjen e arkeologëve në vitin 2017 ku edhe u organizuan gërmimet e para arkeologjike nga Instituti Arkeologjik i Kosovës

Gjetjet arkeologjike dëshmojnë se jeta në këtë kala ka filluar që nga periudha e gurit (neoliti) dhe ka vazhduar edhe në periudhën e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme.

Sipas përshkrimit, vlerat e shumta arkeologjike dhe historike që i posedon kjo kala, pozita e mirë gjeografike, një trashëgimi e pasur arkeologjike dhe historike e evidentuar e bën këtë zonë hapësirë që ka potencial si atraksion turistik.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer