“Ne po përgatiteshim për dy, ndoshta edhe tre vjet. Në nivele të ndryshme. Jemi të rrethuar, nuk mund të plotësojmë nevojat tona, por megjithatë udhëheqja ushtarake përgatiti planet dhe informacionin se si funksionon armiku, ku ndodhen repartet ushtarake.
Deklarata u bë e ditur nga kreu i Hamasit, Basim Naim, kreu i Këshillit Politik të organizatës, përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare, duke folur në emisionin “Arena” në ANT1.
Basim Naim e quajti sulmin e 7 tetorit një “akt mbrojtjeje” dhe për herë të parë përmendi vendet që po ndihmojnë organizatën terroriste.
“Ne kërkojmë mbështetje nga kushdo. Kjo ndihmë mund të jetë financiare. Për shembull ne marrim shumë mbështetje financiare nga Katari. Mbështetje diplomatike dhe politike nga Rusia dhe Kina. Ne marrim mbështetje ushtarake dhe trajnime nga Irani.
Ndihma humanitare nga Egjipti. Varet se kush dëshiron të ndihmojë. Nëse dikush dëshiron të ndihmojë financiarisht, është i mirëpritur. Edhe politikisht, apo diplomatik apo ushtarak, është i mirëpritur”, theksoi ai.
Duke folur për civilët e vrarë, zyrtari i Hamasit tha: “Komandanti ynë ushtarak u ka dhënë një urdhër të qartë luftëtarëve që të mos sulmojnë civilët, të mos sulmojnë gratë apo fëmijët dhe të merren me ta në mënyrë inteligjente dhe morale dhe kjo ishte bërë.
Izraeli flet për prerjen e kokës së foshnjave, përdhunimin e grave, por deri më tani ata nuk mund të sjellin një provë të vetme të asaj që thonë.” Ai shtoi megjithatë se “asnjë qytetar nuk është vrarë me dashje. Disa qytetarë u gjendën në mes të dy palëve”.
Megjithatë, ai pranoi sërish se pengjet që Hamasi i ka në dorë, do t’i mbajë “që të mund të ketë shkëmbim me të burgosurit.
“Ne kemi më shumë se 5800 të burgosur në burgjet izraelite dhe disa prej tyre kanë qenë atje për më shumë se 40 vjet”.
Nga ana e tij, edhe ambasadori izraelit në Greqi, Noam Katz, foli për “Arena”, duke thënë: “Po përgatitemi të hyjmë në vendet ku Hamasi i ka rrënjët. Do ta bëjmë me ritmin tonë.
Nuk jemi me nxitim. Do të jetë një proces i gjatë sepse ne duhet ta pastrojmë këtë zonë nga mijëra terroristë të Hamasit që janë përgatitur për luftë, të cilët kanë ndërtuar një qytet nëntokësor me qindra kilometra tunele dhe bunkerë, jo për të mbrojtur civilët, por për t’i lejuar vetes, për të luftuar me Izraelin.
Këtë luftë do ta vazhdojmë sa të jetë e nevojshme dhe do ta bëjmë me vendosmëri. Siç ishte rasti me luftën kundër Shtetit Islamik, ISIS.
Hamasi është ISIS i Gazës”./abcnews.al