Zyrtari komunal dhe ish-koordinatori për performancë komunale në Komunën e Skenderajt, Mirsad Gashi, ka reaguar pas deklarimeve të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili kishte sugjeruar se zyrtarët e Drenasit i kanë trajnuar zyrtarët e Skenderajt në raportimet për performancën komunale, shkruan rajoni.org.
Gashi ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe duke sqaruar se gjatë mandatit të tij pesëvjeçar (2020-2024) si koordinator për performancë, trajnimet për komunat janë organizuar vetëm nga programi DEMOS dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Ai gjithashtu theksoi se rezultatet e mira të Skenderajt janë arritur falë angazhimit të zyrtarëve komunalë dhe mbështetjes nga udhëheqësit lokalë, përfshirë kryetarin Fadil Nura dhe nënkryetarin Sami Lushtaku. Si dëshmi e kësaj, Gashi përmendi faktin se komuna ka përfituar mbi 1.1 milion euro nga programet për performancë komunale në fushat si shërbimet publike, arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.
Postimi i plotë:
Reagim me shkas
Duke parë deklarimet e kryetarit të Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, se gjoja zyrtarët e Drenasit i paskan trajnuar zyrtarët e Skenderajt në raportimet e komunave për përformancë, m’duhet të reagoj.
z. Ramiz, unë kam qenë kordinator komunal për përformancë komunale për komunën e Skenderajt nga viti 2020 deri në vitin 2024(5vite). Dhe gjatë kësaj periudhe trajnimet për të gjitha komunat i ka mundësuar DEMOSI dhe MAPL, kurrfar trajnimi tjetër skemi marrë as nuk na është dashtë, dhe për këtë deklarim mbaj përgjegjësi morale dhe ligjore.
Komuna e Skenderajt, si rezultat i punës së mirë, qeverisjes së mirë dhe angazhimit të zyrtarëve, së fundi ka fituar mbi 1.1 milion euro për shërbime të mira ndaj qytetarit, transparencë, përgjegjshmëri, shërbime shëndetsore, cilësi në arsim, mirëmbajtje të hapsirave publike dhe investime tjera në infrastrukturë.
Gjatë 4 viteve që po lëmë pas, si komunë nuk jemi përkrahur nga qeveria as për projekte jetike për qytetarët e Skenderajt, madje as në kohën e vërshimeve. Ndërsa fatmirsisht, falë kapaciteteve tona profesionale, mbështetjes familjare, absorbimit të dijes, shkollimit dhe rrugës drejtë profesionalizmit, dhe falë përkrahjes së kryetarit z. Fadil Nura dhe nënkryetarit z. Sami Lushtaku, nuk kemi pasur nevojë për trajnime nga komunat tjera e as për mësime.
Ramiz, procesi i përformancës është një proces që e njoh mirë dhe e kam menaxhuar me sukses, përgjegjsi, profesionalizëm dhe suksese, e duke e njohur mirë si proces ju uroj suksese dhe ju lavdëroj për sukseset e komunës tuaj sepse është fakt që keni qenë komuna 1sh. Por edhe një gjë, unë më nuk jam kordinator, por nëse ka nevojë dikush për trajnime në Skenderaj apo në komuna tjera, unë jam ksajde me ju ndihmu, ne nuk kemi pasur nevojë dhe nuk kemi.
Komuna Skenderaj po ndërtohet, këtu tek ne punohet për qytetarin, këtu nuk bëhen deklarime qesharake, këtu punohet dhe qeveriset mirë si dhe në interes të qytetarit.
N’Skenderaj nuk ka as fushata agjitative as verbale ndaj askujt, sepse jemi të zënë duke u marrur me hallet e përditshme të qytetarëve, demokratizimin e këtij vendi, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe europianizimin e qytetit tonë, pa na trajnu askush.
“Dirigjent pa simfoni”
Skenderaj♥️