Paga e 13-të është një premtim tjetër që e ka bërë kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se këtë pagë do ta marrin punëtorët e sektorit publik sapo të miratohet buxheti, ndërsa nga vitet e ardhshme do ta marrin në muajin janar.
Të njëjtën Kurti e ka thënë edhe sot, në mbledhjen e parë të Qeverisë.
“Sot po riprocesojmë në Kuvend edhe projektligjin e buxhetit për vitin 2026 në vlerë prej 4 miliardë euro që e kemi miratuar më 31 tetor të vitit të kaluar duke mos dashur që t’i përsërisim detajet e prezantuara në atë mbledhje po ndalem vetëm në disa pika të shkurtra të këtij buxheti.Buxheti me vlerë prej 4 miliardë euro edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Pagë kjo që do të hyjë në funksion posa të hyj në fuqi ligji për buxhetin. Ky buxhet parasheh edhe rritjen e shtesës për përvojën e punës”, tha Kurti.
Por, kush e merr pagën e 13-të?
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se pagën e 13-të do ta marrin punëtorët e sektorit publik që kanë punuar 12 muajt e tjerë të vitit të kaluar.
“Për pagën e 13-të parashihet për ata që i kanë marrë 12 paga. Nëse ata kanë filluar rishtazi, e merr pagën e 13-të vitin e ardhshëm”, ka thënë Murati. /Periskopi/