Një proces tenderues për furnizimin me pajisje stomatologjike për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Drenas ka ngritur akuza për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), favorizim të operatorëve të caktuar dhe abuzim me fondet publike. Në anën tjetër, komuna ka mohuar çdo pretendim lidhur me këtë kontratë, shkruan insajderi.
Komuna e Drenasit ka shpërblyer me kontratë “Letamed”, për “Pajisje stomatologjike për nevoja të QKMF”.
Vlera e kontratës është afro 98 mijë euro.

Në garë kanë qenë edhe tri kompani të tjera me oferta dukshëm më të ulëta. Njëra prej tyre kishte ofertuar rreth 68 mijë euro.
Për më tepër, kompania fituese kishte qenë më herët e shpallur e papërgjegjshme nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Akuza për favorizim dhe hakmarrje
“Pro Medical” pretendon se komisioni i QKMF-së po vepron në kundërshtim me vendimet obligative të OSHP-së.
Aty thuhet se kompania fituese, ndonëse është shpallur e papërgjegjshme nga OSHP, komuna e Drenasit ka vazhduar ta favorizojë.
“AK nuk ka bërë vlerësim sipas LPP për Operatorin Ekonomik të rekomanduar: Kjo pjesë fokusohet në faktin se OE i rekomanduar nuk ka përmbushur kriteret teknike dhe specifikimet e kërkuara për pajisjet, duke evidentuar një trajtim të pabarabartë dhe jo transparent nga ana e AK-së. Siç është cekur qartë në Vendimin e OSHP-së nr. 2025/0987, Operatori Ekonomik (OE) i rekomanduar ka qenë i shpallur i papërgjegjshëm, kurse AK përsëri e rekomandon për kontratë. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi obligativ, komisioni i QKMF-së vazhdon ta favorizojë të njëjtin OE, duke vepruar në kundërshtim me konstatimet dhe vendimin e OSHP-së”, thuhet në ankesë.
Në anën tjetër, për eliminimin e ofertës së tyre, kompania ankuese pretendon se ka prapavijë hakmarrëse.
“Autoriteti Kontraktues, i ndikuar nga njësia kërkuese (QKMF), ka ndërmarrë masa hakmarrëse ndaj nesh, si pasojë e faktit se kemi ushtruar të drejtën tonë ligjore për të paraqitur ankesë në OSHP”.
Fryrje e çmimeve deri në 110% mbi tregun
Një nga pikat kryesore të ankesës është pretendimi për mospërputhje drastike të çmimeve të kontraktuara me ato të tregut.
Një karrige stomatologjike është kontraktuar nga Komuna e Drenasit me çmim prej 7,800.00 €, ndërkohë që çmimi real në treg për pajisje ekuivalente sillet nga 2,200.00 € deri në 3,200.00 €.
“Në këtë tender, çmimi i ofertuar është mbi 110% më i lartë se çmimi i tregut, çka ngre dyshime serioze për mungesë të vlerësimit korrekt të çmimeve dhe cenim të parimit të ekonomicitetit”, thuhet në ankesë.
Për ta ilustruar këtë, operatori ankimues ka sjellë shembullin e Komunës së Suharekës, e cila për pajisje të njëjta ka paguar vetëm 3,500.00 € për njësi.
Diferenca totale ndërmjet ofertës së kompanisë ankuese dhe asaj të rekomanduar është mbi 32,000.00 €.

“Sipas vlerësimit të ofertës, një karrige stomatologjike është kontraktuar me çmim prej 7,800.00 €, ndërkohë që çmimi real në treg për pajisje të njëjta ose ekuivalente sillet nga 2,200.00 € deri në 3,200.00 €. Për më tepër, një Operator Ekonomik nga Suhareka ka fituar kontratë për pajisje të njëjta me çmim prej 3,500.00 € për njësi pra tenderin me nr. 624-24-4917-1-2-1 pra AK: KOMUNA SUHAREKË. Në këtë tender, çmimi i ofertuar është mbi 110% më i lartë se çmimi i tregut, çka ngre dyshime serioze për mungesë të vlerësimit korrekt të çmimeve dhe cenim të parimit të ekonomicitetit dhe konkurrencës së drejtë në procedurën e prokurimit“, thuhet aty.
Tutje aty akuzohet komuna se ka abuzuar me mjetet publike.
“Për më tepër, duke u mbështetur edhe në shkeljet ligjore të vazhdueshme të kryera nga komisioni vlerësues, ky projekt është zvarritur dhe bllokuar për një periudhë të gjatë. Në këto rrethana, nuk mund të arsyetohet që, në emër të shërbimeve mjekësore, të abuzohet me mjetet publike”.
Kontestimi i Certifikatave CE
Një pikë kyçe e eliminimit të “Pro Medical” ishte pretendimi i AK-së se certifikatat CE ishin të skaduara. Mirëpo, kompania argumenton se sipas Rregullores së Bashkimit Evropian (BE) 2023/607, vlefshmëria e këtyre certifikatave është zgjatur automatikisht deri në fund të vitit 2027 apo 2028 për shkak të periudhës tranzitore.
“Certifikata CE për karrigen dentare ka qenë valide deri më 24 Maj 2024. Në bazë të Rregullimit (BE) 2023/607… përcaktohet se certifikatat e lëshuara para datës 26 Maj 2024 mbeten të vlefshme për përdorim edhe pas kësaj date”.
Ankesa specifikon se Komuna ka shkelur një sërë nene të LPP-së, duke përfshirë:
- Nenin 6 (Ekonomiciteti dhe Efikasiteti): Dështimi për të siguruar që fondet publike të përdoren në mënyrë ekonomike.+1
- Nenin 7 (Barazia në Trajtim):Operatori pretendon se nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë dhe se është diskriminuar.+1
- Nenin 59 (Ekzaminimi i Tenderëve):Pretendohet se eliminimi është bërë me qëllim të vetëm favorizimin e një OE tjetër, duke përdorur kritere të paqarta.
Komuna e Drenasit mohon akuzat
Përballë këtyre akuzave, Komuna e Drenasit mbrohet duke thënë se gjithçka është bërë me transparencë dhe sipas rregullave.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, nga komuna deklaruan se oferta ishte brenda vlerës së parashikuar.
“Komuna e Drenasit ka vepruar në përputhje të plotë me vendimin e fundit të OSHP-së lidhur më këtë procedurë. Përkatësisht, ka bërë ri vlerësim të lëndës nga operatori më i lirë që e ka bërë vazhdimin e validitetit të ofertës. Sa i përket çështjes së çmimeve, ju njoftoj se secifikat teknike janë hartuar nga komisioni i cili ka bërë përshkrimin teknik te pajisjeve stomatologjike dhe konform specifikave është parashikuar vlera e këtyre pajisjeve .Pra, të gjitha ofertat janë brenda vlerës se parashikuar të Autoritetit Kontraktue.”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Komuna.
Sa i përket eliminimit të kompanisë ankuese, komuna hedh dyshime mbi vërtetësinë e dokumenteve të tyre.
- Ata thonë se i kanë kërkuar kompanisë kontaktet e prodhuesve jashtë vendit për të verifikuar autorizimet, por kompania nuk i ka sjellë. Për më tepër, komuna pretendon se pas verifikimit direkt me prodhuesin, ka rezultuar se operatori i eliminuar kishte ndërhyrë në dokumente (autorizime).
“Vlersimi është bërë nga komisioni profesional i cili është njohës i fushës se stomatologjisë dhe vlerësimi është bërë i barabarte për te gjithë operatoret ekonomik . Sipas komisioni te vlerësimit CE certifikatat janë sipas kërkesave te AK . Nuk ka pas ndërhyrje nga drejtori ne vlerësimin e ofertave. Drejtori është autorizuar për te kërkuar konfirmim nga autorizuesi për shkak se komisionit nuk i janë përgjigje ne emaila. Komuna ka rekomanduar për kontrate OE i cili pretendohet qe ka plotësuar kërkesa e AK . Autoritetit Kontraktues ka kërkuar dy here nga OE i eliminuar qe te na dërgoje email – kontaktet e prodhuesve qe ka paraqitur ne dosje pasi qe ne autorizime nuk kane figuruar ( OE dy here nuk i ka sjelle te dhënat) dhe autoriteti ka kërkuar konfirmim vetëm ne autorizimin e cila ka pase te dhëna për konfirmim nga te cilat ka rezultuar qe Operatori i eliminuar nga ndërhyrë ne autorizim ( sipas konfirmimit ne email te autorizuesit )“, thuhet aty.
Edhe nga Kompania “Letamed”, e cila është shpallur fituese e këtij tenderi, thonë se akuzat për çmime të fryra nuk qëndrojnë.
- Në përgjigjen e dhënë për Insajderin thuhet cilësia ka koston e vet dhe pajisjet e tyre plotësojnë standardet e rrepta të Bashkimit Evropian.
“Çmimet tona bazohen në kërkesat e komunës dhe në cilësinë e lartë të produkteve. Nuk mund të importosh pajisje mjekësore në Kosovë pa i plotësuar kriteret e BE-së”, thonë nga “Letamed”.
Lidhur me faktin se dikur ishin shpallur të papërgjegjshëm për këtë tender, ata e pranojnë këtë por e quajnë thjesht një lëshim të vogël.
“Po, kemi qenë të shpallur të papërgjegjshëm më herët, por kjo ndodhi vetëm për shkak të një gabimi teknik”.
Tenderi tashmë është pezulluar dhe është në ri-shqyrtim në OSHP./