4 marsi është data e fundit e paraparë për mbajtjen e seancës në të cilën pritet të zgjidhet presidenti apo presidentja e Kosovës. Kjo njëherësh është java e fundit për propozimin e emrave për të parin e shtetit, ndërsa partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk ka zyrtarizuar një kandidaturë.
Teksa afati po afrohet, emri që po përflitet si i mundshëm për t’u propozuar është një nga familja Jasharit. Kryeministri Kurti, të dielën, ka qëndruar për një vizitë te familja Jashari, ku ka bërë të ditur se ka biseduar me Rifat Jasharin për çështje politike.
Lidhur me këtë mundësi, disa qytetarë të Komunës së Skenderajt janë shprehur pozitivisht që një anëtar i familjes Jashari të përfaqësojë popullin e Kosovës.
Qytetari Agim Abdullahi tha se mbështet një kandidaturë të tillë, ani pse edhe presidentja aktuale Vjosa Osmani është e zonja për këtë punë.
“Populli duhet të gjithë me qenë për ta, ata kanë dhënë shumë, sa kanë dhënë këta, askush në Kosovë nuk ka dhënë. Kur t’i përmend këta njeri me qenë ulë duhet me u çu në këmbë. Duhet me qenë në çdo vend, bazë shkollës e dijës, e din Albini më mirë kush është i aftë, shpresoj ta bëj president.. ata e dinë më mirë, kanë vlerë të madhe.. edhe Vjosa është e zonja, ka shkollë, dije”, tha Abdullahi.
Qytetari tjetgër, Abdyl Imeraj, vlerësoi se zgjedhja e një anëtari të familjes Jashari do të ishte nder për vendin.
Sipas tij, kjo nuk e përfshinë familjen Jashari në politikë.
“Mendoj se kishte me qenë nderë me qenë një pjesëtarë i familjes Jashari president i vendit.. çështja e presidentit nuk është krejt politike, mund të jetë i pavarur, presidenti nuk përfaqëson parti politike, përfaqëson unitetin e popullit. Do të ishte zgjidhja më e mirë, në rrethanat të cilat jemi të jetë dikush nga familja Jashari”, tha Imeraj.
Ndërkaq, Murat Musliu theksoi se familja Jashari do të ishte përfaqësimi më i mirë i mundshëm për vendin.
“Nuk ka më mirë se me na përfaqësua familja Jashari, ata kanë dhënë gjithçka për Kosovën, do të japin prapë… mendoj që politika është relative, munden pse jo, zgjedhja e presidentit nuk është politike. familja Jashari përfaqëson në mënyrën më të mire të mundshme”, shtoi Musliu.
Edhe Bujar Fejza u shpreh në të njëjtën linjë.
“Janë një familje që e meritojnë kanë kontribu dhe kanë dhënë gjithçka për këtë shtet, meritojnë edhe me qenë në krye të shtetit.. aty e dinë ata më mirë”, tha Fejza.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet nga kuvendi, me votim të fshehtë. Kandidati për president duhet të mbështetet me nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të kuvendit. Në dy rundet e para të votimit, kandidati duhet të marrë dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve.
Nëse asnjë kandidat nuk arrin të sigurojë 80 vota në dy rundet e para, atëherë mbahet rundi i tretë, ku i nevojshëm është shumica e thjeshtë e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota.
Në rast se edhe në raundin e tretë nuk zgjidhet presidenti, Kushtetuta parasheh që kuvendi shpërndahet dhe brenda 45 ditësh duhet të mbahen zgjedhje të reja parlamentare.