Saturday, February 28, 2026

Nenkryetari Ajazi kritikon vendimin për pronat komunale në Drenas: I dëmshëm dhe grabitqar

Ushtruesi i detyrës së nënkryetarit të degës së Partia Demokratike e Kosovës në Drenas, Driton Ajazi, ka reaguar pas mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal, duke e quajtur të dëmshëm vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale deri në 99 vjet, shkruan rajoni.org.

Sipas Ajazit, pronat publike janë pasuri e qytetarëve dhe nuk duhet të jepen për periudha kaq të gjata, sepse kjo ua heq qytetarëve mundësinë të vendosin për to në të ardhmen. Ai tha se disa asamblistë kanë ndryshuar qëndrimet brenda një muaji, nga kundër në pro, dhe shtoi se qytetarët e kuptojnë se ndryshime të tilla nuk ndodhin pa arsye.

Ajazi po ashtju ka shkruar se arsyetimet për “rritje vlere” dhe “zhvillim” nuk e ndryshojnë thelbin e vendimit, duke përmendur edhe një audio-incizim që sipas tij është bërë publik dhe lidhet me këtë çështje.

Postimi:

Dje, në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal në Drenas, u mor një vendim i dëmshëm për qytetarët e komunës tonë, për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale deri në 99 vjet.

Pronat publike nuk janë pronë e asnjë mendësie grabitqare qeverisëse, kushdo qoftë ajo. Ato janë pasuri e qytetarëve dhe e brezave që vijnë dhe duhet t’i ruajmë si të tilla, në mënyrë që t’u shërbejnë qytetarëve. T’i japësh ato për gati një shekull do të thotë t’i zhveshësh qytetarët nga e drejta për të vendosur mbi pasurinë e tyre.

Fjalimet dhe arsyetimet e kota të disa asambleistëve dje nuk e ndryshojnë thelbin. Ata, brenda një muaji, ndërruan qëndrime nga kundër, u bënë pro. Qytetarët e dinë se ndryshime të tilla qëndrimesh nuk ndodhin pa arsye!

E vërteta nuk fshihet pas fjalëve të mëdha për “rritje vlere” e “zhvillim”, me të cilat Kryetari mundohej ta arsyetonte këtë vendim të dëmshëm. E vetmja e vërtetë për mënyrën se si po “rritet” vlera e pronës publike dëgjohet qartë në audio-incizimin që tashmë është bërë publik.

Pronat e komunës nuk jepen për 99 vjet me justifikime boshe. Ato mbrohen me përgjegjësi, transparencë të plotë dhe llogaridhënie.

Qytetarët meritojnë të vërtetën. Dhe, mbi të gjitha, meritojnë që pasuria e tyre të mos tjetërsohet në heshtje për interesa personale të kujtdoqoftë.

D.A.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer