Sunday, March 1, 2026

Këta janë të arrestuarit në operacionin “Syrigana”, dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile

Në orët e para të mëngjesit të 1 marsit 2026 është zhvilluar operacioni policor i koduar “Syrigana”, në kuadër të të cilit janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e Policisë së Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me mbështetje të Njësisë Speciale Operative.

Sinjali raporton së Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, rasti lidhet me vrasjen e gjashtë civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998.

Të arrestuar janë: Ratko Krakoviq, Goran Tomaseviq, Sinisha Tomaseviq, Predrag Tomaseviq, Nebojsha Tomaseviq.

Arrestimet janë kryer në gjashtë lokacione të ndara – pesë në Skenderaj dhe një në Mitrovicë të Veriut – pas sigurimit të urdhrave përkatës për bastisje nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Gjatë bastisjeve janë konfiskuar armë dhe pajisje të ndryshme, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve forenzike në funksion të hetimeve që janë në zhvillim.

Të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim dhe pritet që Prokuroria Speciale të kërkojë masë paraburgimi ndaj tyre, nën dyshimin për përfshirje në krime lufte kundër popullatës civile.

Hetimet janë në vazhdim dhe nuk përjashtohen arrestime apo veprime të tjera në ditët në vijim.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer