Kryeprokurorja e Pejës, Lumturie Vuçetaj, ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një aksion i koordinuar me Policinë e Kosovës, për kontroll në katër lokacione: dy subjekte ekonomike me aktivitet argjendarie dhe dy shtëpi banimi.
Ky aksion është kërkuar nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe i është aprovuar nga gjykata përkatëse.
Hetimet përgatitore nga policia kanë vazhduar për gjashtë muaj dhe kanë pasur fokus kryerjen e veprave penale të mashtrimit me blerës dhe kontrabandimit të mallrave.
Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 50 kilogramë ari, prej të cilave 20 kilogramë ishin të pa deklaruar dhe të fshehura në hapësira të improvizuara si bunker, të zbuluara falë përdorimit të mjeteve speciale të Doganës.
20 kilogramë ari janë gjetur të pashënuar, pa certifikata dhe pa stampim.
Sipas Vuçetaj, vlera e tregut e arit të sekuestruar arrin rreth 5 milionë euro.
Përveç arit, gjatë aksionit është sekuestruar një armë pa leje, për të cilën është hapur procedurë për armëmbajtje pa leje, si dhe 10,000 euro dhe ora të çmuara.