Sipas Musliut, babai i tij Bedri Musliu kishte qenë i angazhuar që herët në aktivitetet patriotike, duke u lidhur me figura të njohura të rezistencës në Drenicë, përfshirë Adem e Hamzë Jasharin.
Ai përshkruan se në vitet 1985-1988, babai i tij ishte pjesë e një grupi të madh furnizimi me armatim për Kosovën, por grupi u dekonspirua nga UDB-ja dhe Bedri Musliu u arrestua në Slloveni.
Musliu rrëfen se familja e tyre ishte maltretuar nga policia jugosllave, ndërsa në rrethimin e vitit 1992 u vra edhe Shukrie Musliu, gruaja e axhës.
“Hamza më tha: na duhet armatim, s’kemi asnjë kanal furnizimi”
Në rrëfim thuhet se pas largimit në Gjermani, Bedri Musliu u kthye sërish pranë grupit të Adem e Hamzë Jasharit.
Në vitin 1996, sipas Shyqeri Musliut, Hamza Jashari i kërkoi babait të tij të nisej për Shqipëri për të siguruar armatim, duke i treguar një listë me rreth 200 persona që prisnin armë.
“Na vlen një Bedri i vdekur në Shqipëri a Gjermani, sesa 300 Bedria që po presin”, citohet të ketë thënë Hamza Jashari.
U mblodhën 46 mijë marka – por armatimi nuk mbërriti
Shyqeri Musliu thotë se babai i tij kishte mbledhur fillimisht mijëra marka, ndërsa më pas në Gjermani kishte siguruar edhe mbi 10 mijë marka nga Kadri Januzi i Gjakovës.
Sipas tij, në fund u mblodhën rreth 46 mijë marka dhe u hartua lista e armatimit bashkë me Hamzë Jasharin.
Por ai pretendon se personi që mori paratë dhe listën ishte Ramiz Lladrovci, i cili, sipas rrëfimit, u kthye nga Shqipëria pa e dërguar armatimin tek Adem Jashari.
Edhe pas dërgimit të Lulzim Jasharit, Musliu thotë se armatimi sërish nuk arriti në Prekaz.
Lista e armatimit që nuk u dorëzua
Në listën që sipas Musliut ishte përgatitur për grupin e Adem Jasharit përfshiheshin:
- 60 kallashnikovë me nga 1000 fishekë
- 5 kundërajrorë 12.7 me 15 mijë fishekë
- 5 minahedhës me nga 100 predha
- 10 mortaja 500 me nga 10 predha
- 10 mortaja 150 me nga 10 predha
- 20 snajperë
- 5 pushkë të gjata
- 300 bomba dore
“Adem e Hamza vdiqën me sy të çelur për këtë armatim”
Pas komunikimit me Shyqeri Musliun, ai ka deklaruar se Adem dhe Hamzë Jashari “vdiqën me sy të çelur” duke pritur këtë armatim, ndërsa familja Jashari ra heroikisht pa e pranuar kurrë furnizimin e premtuar.
Ai shprehet se pas rënies së Jasharajve, babai i tij shkoi në Tiranë dhe u përball me disa persona, duke i akuzuar për tradhti.
Shtrohet pyetja: Ku mbeti armatimi dhe kush e ndali?
Musliu përfundon rrëfimin duke thënë se kjo e vërtetë nuk ka dalë ende plotësisht në shesh, edhe pse sipas tij është folur shpesh në media se kush e tradhtoi Adem Jasharin dhe pse nuk iu dërgua armatimi.
Ai kërkon që drejtësia të merret me këtë çështje dhe të zbardhet se kush i keqpërdori këto mjete dhe ku përfunduan.
Postimi: