Tuesday, March 18, 2025

Instituti i njohur kosovar po përgatitë kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama

Eliminim nga gara për arsye banale, zvarritje e shkelje ligjore të vazhdueshme gjate vlerësimit të tenderëve, përzierje direkte e kryetarit në tender, janë vetëm disa nga pretendimet për të cilat Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë – INSI po përgatitë kallëzim penal ndaj Kryetarit Përparim Rama.

Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë, INSI, ka paralajmëruar Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama se së shpejti do të bëjnë kallëzim penal ndaj tyre.

Për këtë, INSI, ditë më pari i ka dërguar një email Komunës dhe Kryetarit, në të cilën kërkohet që të njoftohet dhe sqarohet se pse ky Institut po përjashtohet, sipas tyre, pa të drejtë nga disa tender të Komunës së Prishtinës.

Burime nga Komuna e Prishtines, i kane konfirmuar Periskopit për këtë email.

“Kemi informata që shkeljet e vazhdueshme ligjore me qëllimin e vetëm që Instituti ynë të mos jetë fitues i tenderëve, po bëhen me urdhër të kryetarit të Komunës”, thuhet në emailin të cilin INSI ia ka dërguar Kryetarit Rama dhe zyrtarëve të tjerë komunal.

Përpos fajësimit të Kryetarit Rama, se personalisht ka gisht në përjashtimin e INSI’it nga tenderët, në emalin e INSI’it përmenden edhe shkaqet tjera që po e detyrojnë këtë Institut të mendojë kallëzimin penal ndaj Rames dhe Komunes.

Eliminim nga gara për arsye banale, zvarritje shkelje ligjore të vazhdueshme gjate vlerësimit të tenderëve, janë shkaqet për të cilat INSI po përgatitë kallëzim penal ndaj Komunës dhe Kryetarit Rama.

“Shkeljet dhe padrejtësitë që na janë bërë neve si Institut nga Komuna e Prishtinës, përbejnë vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet mes tjerash në emailin e INSI’t.

Për cilët tender e Komunës se Prishtinës bëhet fjalë në rastin e INSI’t?

Gjatë këtij viti, Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë aplikoi në dy tender, atë për “Master plani për rigjenerimin e lagjes Kolovica – Ritender”, dhe në “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë”.

Në vlerësimin e Komunës në tenderin për Lagjen Kolovica, oferta e INSI’t edhe pse me e favorshme në çmimin e ofertuar, u hodh poshtë.

Sipas shkresës së INSI’it, në projektin “Master plani për rigjenerimin e lagjes Kolovica – Ritender”, ofertat janë hapur më 23 qershor, dhe në kundërshtim me të gjitha afatet të parapara me ligj, për 3 muaj me radhë INSI nuk kishte pranuar as edhe një informatë nga Komuna për këtë aktivitet.

Pas gjithë kësaj pritje, në përpjekje të dytë për të marrë një përgjigje, INSI më datë 18 shtator dorëzoi një kërkesë për të marr informacion lidhur me procesin e këtij tenderi. Instituti nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga ana e Komunës, që drejtohet nga Përparim Rama.

Dhjetë ditë pas kërkesës se INSI’t, doli njoftimi nga Komuna, ku behej e ditur se INSI është eliminuar nga gara.

“Nuk keni dorëzuar Diplomën e nostrifikuar për ekspertin e propozuar për këtë pozitë, si dhe për Master të Shkencave Shoqërore Biologji – drejtimi i ambientit nuk kemi paraqitur dëshmi sipas kërkesës – Kontratat e punës për vitet paraprake (mungojnë dëshmitë e referencave)”, thuhet në arsyetimin e vendimit për eliminimin e INSI’t nga tenderi.

Nisur nga dokumentet për këtë tender, shihet qartë se ky kriter nuk ka qenë kërkesë në dosjen e tenderit. Sipes shkresës së dërguar nga INSI arsyetimi për eliminimin e tyre nga gara është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit.

“Tenderuesi nuk do të diskualifikohet ose përjashtohet nga procedura e prokurimit në bazë të ndonjë kërkese apo kriteri që nuk është specifikuar në njoftimin e kontratës/dosjen e tenderit”, citojnë Ligjin e Prokurimit nga INSI.

Edhe në tenderin tjetër, atë për “Shërbime këshilluese për planifikim, promovim dhe funksionalizim të parkut industrial në Prishtinë”, INSI aplikoi më 30 qershor të këtij viti, ndërsa më 06 shtator është bërë hapja e ofertave financiare.

Që nga hapja e ofertave, kanë kaluar gati dy muaj dhe sipas INSI’t, Komuna ende nuk ka dal me asnjë informacion për të njoftuar se ku qëndron procesi.

INSI, gjithashtu, edhe gjatë vitit 2022, kishte ofertuar në dy tender, të iniciuara nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Në të dy këto aktivitete ishte eliminuar nga gara. Asokohe, arsyetimi i eliminimit ishte se “menaxheri i propozuar nga INSI është me profesionin urbanist e jo inxhinier i ndërtimtarisë ose arkitekturës”.

Edhe në këto raste inxhinieri i propozuar për menaxher, sipas letrës së INSI’t, ka qenë në përputhje të plotë me kërkesat e njoftimit të dosjes së tenderit.

Të gjitha këto raste, të përmbledhura në një shkresë, Instituti i Shkencës dhe i Teknologjisë INSI ia ka dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me kërkesën për rishqyrtimin të këtyre tenderëve.

Në të kundërtën, INSI ka bërë me dije në emailin e dërguar Përparim Ramës se në rast se nuk vendoset ligjshmëria, për këto çështje do të kërkoje përgjegjësi penale.

Periskopi ka tentuar të kontaktojë zyrën e Kryetarit Rama, si dhe zyrtarët përgjegjës të Komunës së Prishtinës, por nuk kanë qenë të qasshëm për të sqaruar pretendimet e INSI’t.

Kush është Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë?

Instituti për Shkencë dhe Teknologji – INSI është një institucion i specializuar në kërkime, analiza dhe studime në planifikimin hapësinor dhe urban dhe ka të punësuar mbi 50 ekspertë nga një gamë e gjerë profesionesh.

Po ashtu, përveç ekspertëve të brendshëm, INSI, ka edhe rreth 100 bashkëpunëtorë profesionistë të jashtëm.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer