Sot, Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajqin, i cili vrau gruan e tij, Gjyljeta Ukelli. Ky vendim ka ardhur pas një procesi gjyqësor, dhe është mirëpritur.
Familjarët e viktimës, shprehën lehtësim dhe falënderime për vendimin e marrë.
Vëllai i së ndjerës, Shpat Ukella, para mediave ka theksuar se vendimi i gjykatës i ka lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë të familjes.
Ai shprehu mirënjohje për punën e gjykatësit, prokurorit dhe Policisë së Shtetit.
“Sot gjykata e dha vendimin final që neve si familje na lehtësoi sado pak dhimbjen dhe dënoi me burgim të përjetshëm. Jemi shumë të lumtur dhe e falenderojmë gjykatësin, prokurorin dhe policinë e shtetit për punën e bërë deri më tani.”
Për sa i përket mundësisë që gjykata e shkallës së dytë të rikthejë rastin në rigjykim, Ukella është i bindur se kjo nuk do të ndodhë.
Ai tha se beson se gjykata do ta shqyrtojë rastin me seriozitet dhe se nuk do të bëhen lëshime.
“Unë shumë besoj se për vrasjen e motrës time të pafajshme, në momentin që ajo ka qenë duke pirë kafe pa vetmbrojtje, besoj që edhe Gjykata e Apelit dhe të tjerat do ta kenë parasysh këtë dhe nuk do të bëjnë lëshime në asnjë mënyrë,” tha ai, duke shprehur besim të madh në drejtësinë e sistemit.
Shpat Ukella gjithashtu foli për fëmijët e së ndjerës, të cilët tashmë janë nën kujdesin e familjes së afërme.
Ai tha se, edhe pse ata nuk mund ta zëvendësojnë dashurinë e nënës së tyre, atyre s’do t’iu mungojë ngrohtësia e tyre si familjarë të nënës.
Ukella pos tjerash deklaroi se fëmijët janë të lumtur për vendimin e marrë për nënën e tyre të pafajshme.
“Gjendja e fëmijëve është shumë e mirë, çdo gjë është në rregull. Ata kanë ngrohtësi, edhe pse ne nuk mund t’ua japim atë që ua ka dhënë nëna e tyre. Ata fëmijë asnjëherë nuk kanë pasur baba, motra ka bërë çdo gjë për ta. Ne mundohemi në maksimum si dajë, teze e gjyshja me u përkujdes për ta. Sot ata po më presin me shku me ua kumtu lajmin për nanën e tyre të pafajshme, janë shumë të lumtur për vendimin që është jep për nënën e tyre të pafajshme.” shtoi Ukella.