E hënë, 7 Tetor, 2024

Aksident mes dy veturave dhe tre këmbësorëve – lëndohet rëndë një e mitur

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Një aksident trafiku ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në rrugën ‘Migjeni’ në Mitrovicë, ku si pasojë janë lënduar pesë persona.

Sinjali mëson se deri të aksidenti ku u përfshinë dy vetura dhe tre këmbësorë, dyshohet se erdhi për shkak se njëri nga shoferët ka hyrë në tejkalim dhe ka goditur një veturë që ishte e ndalur e më pas ka humbur kontrollin dhe ka goditur tri këmbësore të mitura që po ecnin në trotuare.

Shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduara kanë mbetur shoferja dhe pasagjerja e veturës që u godit, si dhe tri këmbësoret.

Që të pesë viktimat janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për shkak të lëndimeve të rënda, njëra nga të miturat është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin, më vonë është paraqitur në stacion policor.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer