Kompania AS Termo Sh.P.K. ka paraqitur ankesë lidhur me tenderin e Komunës së Skenderajt të udhehequr nga Sami Lushtaku për “Mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit brenda territorit të Komunës së Skenderajt”, i cili ka një vlerë të parashikuar prej 300 mijë eurosh, shkruan rajoni.org
Në ankesën e saj, kjo kompani pretendon se disa nga kriteret e vendosura në dosjen e tenderit nga zyra e prokurimit e kësaj komunë janë diskriminuese dhe favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë, duke kufizuar konkurrencën.
“Po përcaktohet fituesi që në start të aktivitetit të prokurimit, pa konkurrencë të hapur”, thuhet nder të tjera në ankesë.
Sipas kompanisë, një nga kushtet më problematike është kërkesa që operatorët ekonomikë të dëshmojnë se kanë në dispozicion 200 mijë euro mjete financiare ose qasje në kredi. AS Termo vlerëson se ky kusht nuk lidhet drejtpërdrejt me natyrën e shërbimeve të kërkuara dhe mund të pengojë pjesëmarrjen e kompanive që kanë kapacitete profesionale, por jo mjete të tilla të gatshme në llogari bankare.
Kompania kundërshton edhe disa kërkesa për stafin profesional, duke pretenduar se kërkimi për certifikime të caktuara dhe për profile shtesë të inxhinierëve nuk është i domosdoshëm për realizimin e kontratës dhe vetëm sa e vështirëson pjesëmarrjen e operatorëve të interesuar.
Po ashtu, në ankesë ngrihen shqetësime edhe për listën e pajisjeve të kërkuara në tender. Sipas AS Termo, disa mjete dhe specifikime teknike, si kapacitetet minimale, peshat e caktuara apo kërkesa për pajisje me “atest”, janë të panevojshme dhe kufizojnë konkurrencën në treg.
Kompania bën të ditur se fillimisht kishte kërkuar sqarime nga autoriteti kontraktues dhe më pas kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim. Sipas saj, Komuna ka pranuar vetëm pjesërisht disa nga vërejtjet, ndërsa ka lënë në fuqi shumicën e kritereve që ajo i konsideron diskriminuese.
Në ankesë thuhet gjithashtu se vendosja e këtyre kritereve bie ndesh me parimet e konkurrencës së barabartë dhe trajtimit të njëjtë të operatorëve ekonomikë, të përcaktuara në legjislacionin për prokurimin publik.
