Një ditë pas zgjedhjeve, më 8 qershor, Komuna e Vushtrrisë i ka dhënë kontratë kompanisë SV Veterina në vlerë prej 51 mijë e 464 eurosh, shkruan rajoni.org.
Njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues mbartë nënshkrimin e zyrtarit përgjegjës iltë prokurimit, Ilmi Azemi.
Kontrata ka të bëjë me dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin (DDD) dhe largimin e zvarranikëve dhe brejtësve.
Sipas të dhënave të ARBK-së, pronar i SV Veterina është Safet Osmani. Ai ka qenë më herët asamblist i PDK-së në Vushtrri.
Përveç lidhjeve me PDK-në, Osmani konsiderohet i afërt edhe me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Rajoni.org i ka dërguar pyetje Komunës së Vushtrrisë nëse kjo afërsi ka ndikuar që kompania të fitojë tenderin.
Komuna e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se ofertat vlerësohen vetëm sipas kushteve të përcaktuara me ligj.
“Komisioni i Vlerësimit i shqyrton ofertat vetëm në bazë të kritereve objektive, si përgatitja profesionale, kapacitetet teknike dhe çmimi. Ligji për Prokurim Publik nuk njeh si kriter vlerësimi përkatësinë partiake”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë.
