Ambulanca e mjekësisë familjare në Baicë të Drenasit ka mbetur pa furnizim me ujë, pothuajse që prej një jave. Qytetarët me lëndime me vështirësi po i marrin shërbimet e duhura mjekësore e po ashtu edhe stafi shëndetësor me vështirësi po i kryejnë shërbimet nga mungesa e ujit, mëson Rajoni.
Rajoni ka mësuar se kjo ambulancë posedon pusin me ujë të mjaftueshëm, por i cili nuk është i lidhur me objekt që prej disa vitesh nga neglizhenca e menaxhmentit shëndetësor në Drenas e kjo po e rrit rrezikun e përhapjës së infeksioneve nga mungesa e ujit.
Se uji është element bazik për ambulancat shëndetësore e thotë edhe Udhëzimi Administrativ për Shëndetësi: Dhomat e ekzaminimeve të pacientëve, intervenimit, nyjet sanitare, duhet të kenë lavaman me ujë të ftohtë dhe të ngrohtë e kjo po i mungon kësaj qendre mjekësore.