E premte, 4 Tetor, 2024

Albin Kurti në tavolinë me Goran Vasiljeviç, të dyshuarin si bashkëpunëtor i BIA-s

Të ulur në një tavolinë, diku në Kosovë, kryeministri Albin Kurti dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, janë fotografuar me Goran Vasiljeviç, një serb nga Shtimja, i njohur si nacionalist serb dhe i afërm i ish-shefit të Ushtrisë Serbe në kohën e Slobodan Millosheviç-it, Nebojsha Pavkoviç dhe po ashtu famëkeq-it “Kapetan Dragani”, Dragan Vasiljkoviç, i dënuar për krime lufte.

Në foton e siguruar nga Albanian Post, të bërë nga Vasiljeviç, shihet Kurti bashkë me ministrin Rashiç dhe persona të tjerë, por Albanian Post nuk ka arritur ta identifikojë vendin.

Sipas burimeve të Albanian Post nga Policia e Kosovës, Vasiljeviç është i dyshuar nga organet e sigurisë në Kosovë si bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë, e njohur si “BIA”.

Nga e majta: Albin Kurti, Nenad Rashiç, Goran Vasiljeviç.

Ai dyshohet se kishte lidhje me grupin e agjentëve serbë që kishin ardhur në Kosovë për të blerë dëshmitarë duke iu ofruar atyre shuma të majme parash në këmbim të deklaratave të tyre për trafikim të organeve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në një operacion, pasi ishin siguruar prova edhe me video, policia atëherë kishte arrestuar spiunët Igor Juqillad, Millutina Radonoviç dhe Predrak Zhelkoviç.

Në një nga fotot, Vasiljeviç është në anën e djathtë të Dragan Vasiljkoviç, ish-komandant i forcave paramilitare serbe të quajtura “Kninjas”, ndërsa bashkë me ta është edhe ish-shefi i Ushtrisë Serbe, Nebojsha Pavkoviç.

Nga e majta: Goran Vasiljeviç, Dragan Vasiljkoviç, Nebojsha Pavkoviç.

Për të njëjtin, në një emision të quajtur “Udhëve” në Radio Televizionin e Kosovës, të dhënë me datën 16 tetor 2020, u patën zbardhur dokumente të ushtrisë serbe ku shihej se ishte Pavkoviç që kishte dhënë urdhër për asgjësimin dhe zhdukjen e dosjeve të luftës të periudhës 1998-1999 në Kosovë.

I uluri në tavolinë me Kurtin, serbi Goran Vasiljeviç, ka edhe një foto ku shihet në një tubim të nacionalistëve serbë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Goran Vasiljeviç

Vasiljeviç gjithashtu është i punësuar në institucionet e Kosovës.

Albanian Post ka siguruar zgjatjen e kontratës që ai ka nënshkruar për të vazhduar punën në ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu, atë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Vasiljeviç ishte punësuar në vitin 2022 dhe në dokumentin që ka siguruar AP, atij i vazhdohej kontrata në ministri deri me 7 nëntor të këtij viti (2024).

Kontrata e Goran Vasiljeviç me ministrinë.

“Kjo marrëveshje për punë praktike lidhet në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës praktikantit Goran Vasiljeviç”, thuhet në kontratë.

“Kjo marrëveshje ofron kornizën për vazhdimin e marrëdhënies së punës praktike midis palëve dhe është realizuar në harmoni me nenin 16 të ligjit të Punës”, vazhdon tutje.

Në kontratë gjithashtu shkruhet se “puna praktike është me orar të rregullt të punës”.

Albanian Post ka dërguar pyetje në qeveri për të kuptuar më shumë rreth takimit të Kurtit me këtë person të dyshimtë, por nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Për disa ditë është kontaktuar edhe ministri Rashiç dhe i janë dërguar pyetje, por edhe ai ka refuzuar të përgjigjet.

Albanian Post e ka ballafaquar ministrin me fotografitë e Vasiljeviç duke e pyetur se në çfarë raportesh janë me të ai dhe kryeministri, por ai ka vendosur të mos flas.

Vasiljeviç në rrjetet e tij sociale ka pasur edhe fotografi të tjera me motive nacionaliste serbe.

Nga informatat e siguruara ai edhe ka qenë duke u hetuar në një kohë, por nuk dihet se çfarë ka ndodhur me hetimet rreth tij

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer