Wednesday, May 27, 2026

OSHP ia rrëzon Komunës së Sami Lushtakut tenderin milionësh të Kompleksit të UÇK-së

Një projekt gati 4 milionë euro, i prezantuar si pjesë e kompleksit të UÇK-së në Skenderaj, simbolikisht një prej projekteve më të ndjeshme për qytetarët e kësaj komune është përplasur në mënyrë serioze me ligjin e prokurimit publik. Jo për shkak të mungesës së mjeteve, as për shkak të interesimit të kompanive, por për shkak të asaj që vetë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka parë si mosrespektim të rekomandimeve dhe kritere potencialisht kufizuese që cenojnë konkurrencën, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi i Objektit të Kompleksit të UÇK-së -objekti i C-së, Skenderaj”, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë e 995 mijë euro, i inicuar nga Komuna e Skenderajt, qe udhëhet nga Sami Lushtaku.

Por, në vend që tenderi të ecë pa telashe, ai është kthyer sërish në OSHP, pasi një operator ekonomik ka pretenduar se komuna ka vendosur kritere të tilla që praktikisht kufizojnë konkurrencën dhe favorizojnë vetëm pak kompani. (VENDIMI)

Tenderi për ndërtimin e objektit të Kompleksit të UÇK-së u publikua nga Komuna e Skenderajt më 16 qershor 2025, si procedurë e hapur për punë ndërtimore, me vlerë afro 4 milionë euro.

Mirëpo, pas publikimit, operatori ekonomik “Limit Project” SH.P.K. ngriti pretendime se dosja e tenderit përmbante kërkesa joproporcionale dhe kufizuese.

Fillimisht, kompania bëri kërkesë për rishqyrtim në komunë më 8 shtator 2025, por Komuna e Skenderajt e refuzoi si të pabazuar. Më pas, më 18 shtator 2025, çështja përfundoi në OSHP.

Sepse sipas vendimit të panelit, kjo nuk ishte hera e parë që komuna po gjykohet për këtë tender. OSHP konstaton se edhe më herët kishte marrë vendim që komuna të korrigjonte dosjen e tenderit, por sipas ekspertit shqyrtues dhe më pas vetë panelit, korrigjimet nuk ishin zbatuar në tërësi.

Një prej konstatimeve më të rënda në këtë rast është fakti se OSHP thotë qartë se Komuna e Skenderajt nuk e ka zbatuar në tërësi vendimin paraprak të OSHP-së.

Eksperti shqyrtues konstatoi se, megjithëse komuna kishte bërë disa ndryshime kozmetike, si ulja e kërkesës për qarkullim financiar nga 7.9 milionë euro në 7 milionë euro dhe heqja e një certifikimi për menaxherin e projektit, një pjesë e madhe e kritereve kufizuese kishin mbetur pothuajse të paprekura.

Kjo është pikërisht ajo që e rëndon rastin. Sepse kur një institucion publik merr vendim nga OSHP, detyrimi është që vendimi të zbatohet realisht, jo formalisht. Në këtë rast, sipas panelit, komuna kishte bërë disa ndryshime minimale, por thelbi shkljeve ishte mbetur po ai.

Madje paneli paralajmëron se nëse komuna nuk vepron sipas vendimit, mund të përballet me masa sipas nenit 131 të Ligjit për Prokurim Publik.

Dyshimet për “garë të ngushtë”: Vetëm një ose dy ofertues?

Një pjesë shumë domethënëse e vendimit të OSHP-së lidhet me mënyrën se si Komuna e Skenderajt ka zhvilluar tenderë të mëdhenj.

Vetë paneli vëren se, bazuar në praktikën e këtij autoriteti kontraktues, shumica e kontratave me vlera të mëdha kanë pasur vetëm një ose dy ofertues, ndërsa ofertuesi i dytë shpesh rezultonte i papërgjegjshëm për shkak të kërkesave të rrepta të vendosura nga komuna.

Praktikisht, OSHP po ngrit një alarm serioz se kur tenderët milionësh përfundojnë vazhdimisht me shumë pak konkurrencë, lind dyshimi nëse kriteret janë hartuar për të garantuar cilësi apo për të kufizuar pjesëmarrjen.

OSHP nuk thotë se ka kurdisje, apo se ka favorizim të drejtpërdrejtë. Por ajo që thotë është mjaftueshëm e rëndë se kriteret e hartuara kanë pasur efekt kufizues dhe nuk janë harmonizuar me parimet e konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë.

Certifikata pa fund: Inxhinier apo “supernjeri”?

Një nga pjesët më të kritikuara të tenderit ishte lista e gjatë e certifikimeve të kërkuara për stafin profesional.

Për shembull, menaxheri i projektit duhej të ishte jo vetëm inxhinier ndërtimtar me përvojë, por edhe i certifikuar si auditor i cilësisë ISO 9001, auditor i sigurisë OHSAS, specialist i mjedisit dhe i certifikuar për organizimin e punishteve ndërtimore.

Edhe pozitat tjera kishin kushte të ngjashme: inxhinierë me certifikime të shumta, trajnime specifike, auditorë, ekspertë të sigurisë, menaxherë projektesh dhe një varg kriteresh shtesë.

Eksperti i OSHP-së arriti në përfundimin se një pjesë e këtyre kërkesave janë të panevojshme dhe kufizuese, ndërsa paneli e mbështeti këtë arsyetim.

Makineri “me porosi”?

Një tjetër pjesë që OSHP e konsideroi problematike kishte të bënte me makineritë.

Në tender kërkoheshin 43 pajisje të ndryshme, me specifikime shumë të ngushta për tonazh dhe kapacitete. Ankuesi pretendonte se këto kritere ishin aq specifike sa praktikisht mund t’i plotësonin vetëm një ose dy kompani në treg.

Për shembull, u përmendën: eskavatorë me tonazhe shumë specifike; buldozherë me kufij të ngushtë peshe; pompë betoni me lartësi minimale; lift ndërtimi 35–40 metra me kapacitet të caktuar; pajisje që sipas ankuesit posedohen nga shumë pak operatorë në treg.

Veçanërisht problematik u konsiderua një lift ndërtimi 35–40 metra me kapacitet 800–1000 kilogramë, për të cilin pretendohej se në tregun vendor posedues është pothuajse vetëm një operator ekonomik. Edhe eksperti i OSHP-së vlerësoi se komuna nuk e kishte adresuar siç duhet këtë shqetësim.

Komuna kishte bërë disa korrigjime duke shtuar toleranca 10–20 për qind në kapacitete, por sipas OSHP-së kjo nuk ishte e mjaftueshme.

Nga ana tjtwr, Kompleksi i UÇK-së nuk është një objekt i zakonshëm. Ai lidhet drejtpërdrejt me kujtesën historike të luftës, me sakrificën dhe me emocionin qytetar, veçanërisht në Skenderaj.

Në fund, OSHP e aprovoi ankesën si të bazuar dhe urdhëroi Komunën e Skenderajt që të bëjë përmirësime në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim. /Kujdestari.info/

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer