Kompania “MITRO VET SH.P.K.” ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Komunës së Mitrovicës lidhur me aktivitetin e prokurimit për trajtimin e qenve endacakë që bredhin lirshëm në qytet, tender i cili ka vlerën e parashikuar 300,000 mijë euro, shkruan rajoni.org.
Në ankesën e dorëzuar, kompania thotë se Komuna e Mitrovicës ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe nuk ka zbatuar në mënyrë të plotë dhe efektive vendimin paraprak të OSHP-së për këtë tender.
Sipas MITRO VET SH.P.K., përjell rajoni.org, pas publikimit të njoftimit për kontratë dhe kushteve të Dosjes së Tenderit nga Autorteti Kontraktues, kjo kompani pretendon se disa nga kriteret e vendosura ishin diskriminuese dhe favorizuese për operatorë të caktuar ekonomikë. Për këtë arsye, më 19 mars 2026 kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim pranë Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Komunës së Mitrovicës.
Kjo kërkesë ishte refuzuar nga Komuna më 26 mars 2026, çka kishte shtyrë kompaninë që ta dërgojë çështjen në Organin Shqyrtues të Prokurimit, në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.
Më 4 maj 2026, OSHP kishte nxjerrë vendim në favor të kompanisë MITRO VET SH.P.K., duke e konsideruar ankesën si të bazuar. Në arsyetimin e tij, Paneli Shqyrtues kishte theksuar se procedurat e prokurimit publik duhet të zhvillohen në mënyrë të drejtë, pa diskriminim dhe duke garantuar konkurrencë të barabartë mes operatorëve ekonomikë.
Megjithatë, sipas kompanisë ankimuese, vetëm një ditë pas këtij vendimi, më 5 maj 2026, Komuna e Mitrovicës publikoi Formularin B54 për informata shtesë dhe përmirësim gabimi, përmes të cilit caktoi afatin për dorëzimin e ofertave më 6 maj 2026.
Kjo, sipas MITRO VET SH.P.K., nënkupton se operatorëve ekonomikë u është lënë në dispozicion vetëm një ditë kohë për përgatitjen dhe dorëzimin e ofertave pas përfundimit të procedurës ankimore.
Në ankesë thuhet se një veprim i tillë përbën shkelje të drejtpërdrejtë të parimeve themelore të prokurimit publik, pasi gjatë kohës sa lënda ishte në shqyrtim në OSHP procedura kishte qenë e pezulluar dhe operatorët ekonomikë nuk kishin siguri juridike nëse tenderi do të vazhdonte, do të ndryshohej apo do të anulohej.
Kompania thekson se vetëm pas vendimit të OSHP-së është krijuar qartësi për vazhdimin e procedurës dhe vetëm nga ai moment operatorët ekonomikë kanë pasur bazë reale për të filluar përgatitjen e ofertave.
Sipas MITRO VET SH.P.K., një afat prej vetëm një dite është joreal, joproporcional dhe pamundëson përgatitje serioze dhe profesionale të ofertave. Në ankesë thuhet se kjo situatë kufizon konkurrencën, pengon pjesëmarrjen e barabartë të operatorëve ekonomikë dhe krijon avantazh të padrejtë për kompani që mund të kenë qenë të përgatitura paraprakisht.
Kompania pretendon se ky veprim bie ndesh me nenin 7 dhe nenin 53 të Ligjit për Prokurimin Publik, si dhe me parimet e proporcionalitetit, sigurisë juridike dhe konkurrencës efektive.
Po ashtu, në ankesë theksohet se edhe pse Komuna formalisht ka vazhduar procedurën sipas vendimit të OSHP-së, në praktikë nuk ka siguruar zbatim real të këtij vendimi, pasi afati i shkurtër për dorëzimin e ofertave ua ka pamundësuar operatorëve ekonomikë pjesëmarrjen e barabartë në procedurë.
MITRO VET SH.P.K. shpreh gjithashtu dyshime se mënyra e veprimit të Autoritetit Kontraktues dhe ngutja për caktimin e një afati minimal mund të jetë në funksion të favorizimit të një operatori të caktuar ekonomik./Rajoni.org/\
