Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se tashmë janë mbledhur më shumë se 150 nënshkrime për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të LDK-së, derisa ka bërë të ditur se dega nga e cila vjen ai ka kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe reflektim pas rezultatit të zgjedhjeve të qershori.
Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Zemaj tha se kërkesa për Kuvend të jashtëzakonshëm ka ardhur nga strukturat e partisë në nivel lokal dhe qendror.
“Sepse në organizimin tonë ne funksionojmë nga dega deri në nivelin qendror. Unë i takoj një dege e cila ka dhënë mendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme dhe duhet të ketë reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit, domethënë në të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike, duke filluar nga kryetari edhe deri te anëtarët. Jo vetëm që e kam nënshkruar, po janë më shumë se 150 nënshkrime tash që, që janë, që kanë kërkesë për Kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jo, nuk kam njohuri a janë deponuar, po ajo çka është edhe konfirmim, edhe që u debatua me seriozitetin më të madh, ishte edhe kërkesa që, domethënë mos të ketë nevojë për zgjedhje të parakohshme, domethënë që i parasheh statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por kishte edhe mendime që t’i jepet përkrahje kryetarit të LDK-së që të vazhdojë edhe t’u njihet si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Zemaj.
Ai komentoi edhe mungesën e disa figurave të LDK-së në mbledhjen e Kryesisë, duke përmendur qëndrimin e Avdullah Hotit dhe mungesën e Hykmete Bajramit.
“Zoti Hoti e ka thënë publikisht që nuk merr pjesë, ashtu siç e quan ai në një kryesi jostatutare. Ndërkaq, zonja Hykmete Bajramin nuk e di arsyen pse nuk është. Të tjerët, disa nuk janë anëtarë të kryesisë, që janë deputetë që ju i përmendët. Për të tjerët që kanë munguar, që nuk kanë qëndrim ose nuk kanë shprehur qëndrim, pyetni ata të cilët kanë marrë pjesë ose nuk kanë marrë pjesë”, tha ai.