Bazuar në ligjet në fuqi në Kosovë, drejtori i Urbanizmit në Skenderaj, Arbnor Çitaku, i emëruar më 12 janar 2026, mund të ketë qenë në konflikt interesi. Kjo pasi, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, ai figuron se deri para pak ditësh ka qenë drejtor edhe në tri kompani private, raporton rajoni.org.
Bëhet fjalë për kompanitë Royal Consulting Group, Digievents dhe Norc Project. Çitaku në tri bizneset përveç si pronar, ka qenë edhe Drejtor deri para pak ditësh.
Pronësia e tij në këto tri kompani është deklaruar edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Më 7 prill, portali rajoni.org i është drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të sqaruar nëse një zyrtar i lartë publik mund të jetë njëkohësisht menaxher apo person i autorizuar në një kompani private. Në përgjigjen e saj, Agjencia ka theksuar se një situatë e tillë përbën konflikt interesi.
Agjencia ka kthyer përgjigje më 30 prill, duke thënë se sipas nenit 13 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar apo pjesë e organeve drejtuese ose mbikëqyrëse në kompani private fitimprurëse, përveç rasteve të lejuara me ligj.
Po ashtu, nenit 15 të këtij ligji, zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e drejtimit dhe menaxhimit në një kompani, pa marrë parasysh fushën e saj.
Sipas Agjencisë, në rastet kur një zyrtar zotëron aksione apo pjesë të kapitalit në një kompani, ai është i obliguar t’i bartë të drejtat e menaxhimit te një person i besuar brenda afateve ligjore dhe për këtë ta njoftojë me shkrim Agjencinë.
Por çka ndodhi në këto 23 ditë
Pas fillimit të hulumtimit nga Rajoni.org, disa ditë me vonë të dhënat në ARBK janë ndryshuar. Ani pse për rreth katër muaj dyshohet se ka qenë në kundërshtim me ligjin, Arbnor Çitaku pas pyetjeve të rajoni.org është vënë në lëvizje, duke mbetur pronar i bizneseve, por duke u larguar nga pozita e drejtorit në kompanitë përkatëse.
Rajoni.org ka marrë informacione nga ARBK se nga momenti i aplikimit për ndryshimin e të dhënave në biznes deri në aprovimin e kërkesës zgjat afërsisht një javë. Përditësimi në faqen elektronike të ARBK bëhet më largu brenda dy ditësh.
Arbnor Çitaku i afërt me biznesmenin kontrovers Astrit Çitaku
I emëruari nga Sami Lushtaku, Arbnor Çitaku, në Skenderaj njihet edhe për lidhjet e afërta me biznesmenin kontrovers Astrit Çitakun, pronarin e kompanisë Andrra Invest.
Sipas burimeve të rajoni.org, ata janë “kushëri gjaku”.
Përgjigjja e Arbnor Çitakut
Rajoni.org i ka dërguar pyetje edhe drejtorit të ri të Urbanizmit në Skenderaj se pse i ka mbajtur katër pozita njëkohësisht.
Çitaku ka deklaruar se nuk është bërë përditësimi në ARBK, edhe pse ai kishte aplikuar me kohë.
“Lidhur me subjektet e tjera të përmendura Norc Project, Digievent dhe Arbnor Çitaku B.I, ju informoj se vendimet për largim nga pozitat drejtuese i kam nënshkruar me kohë dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi. Mos përditësimi i menjëhershëm i këtyre ndryshimeve në regjistrin e ARBK lidhet vetëm me procedurat administrative dhe kohën e nevojshme për reflektim në sistem”, është përgjigjur Çitaku.
Nesër në rajoni.org pjesa e dytë e hulumtimit…