Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe dje në një familje në rrugën “Nexhmedin Elshani” në Pejë, ku një 23-vjeçar dyshohet se ka rrahur nënën e tij 59-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fakt është se i dyshuari është përdorues i substancave narkotike dhe se dhuna ndaj saj ka qenë e vazhdueshme. E herën e fundit, i riu dyshohet se e sulmoi të ëmën fizikisht, duke e goditur me shuplakë në shpinë.
Kjo ka bërë që nëna e tij ta njoftojë Policinë, ku mes lotësh ka rrëfyer që vuan nga sëmundje të ndryshme dhe veprimet agresive të djalit të saj, kanë ndikuar në gjendjen shëndetësore. Si rrjedhojë, ajo ka pranuar ndihmë mjekësore.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit, të riut i është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti po hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.