E enjte, 14 Nëntor, 2024

Familja e kap hajnin në flagrancë, përleshen dhe e mbajnë në shtëpi derisa arrin Policia

Rastet e vjedhjeve nëpër shtëpitë private e biznese në Kosovë janë shndërruar në dukuri shqetësuese. Zakonisht personat e dyshuar arrijnë të ikin nga vendi i ngjarjes, për t’u kapur më vonë nga Policia, por ka edhe herë kur ata kapen në flagrancë nga pronarët e shtëpive, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Dashevc të Skenderajt, ku një person dyshohet se kishte hyrë të kryejë grabitje në një shtëpi private.

Sinjali mëson se i dyshuari kishte hyrë brenda shtëpisë i maskuar dhe i armatosur dhe kishte arritur që të marrë një çantë brenda së cilës kishte para të gatshme dhe dokumente personale.

Por i gjithë ‘aksioni’ atij nuk i shkoi vaj, pasi që u hetua dhe u kap në flagrancë nga anëtarët e familjes. Në ato momente ai ka tentuar që të ikë, por i njëjti është kapur nga familjarët dhe gjatë përleshjes ka pasur edhe të shtëna me armë, mirëpo nuk është lënduar askush.

Familjarët  të vendosur që mos ta lënë të dyshuarin të largohet nga shtëpia, e kanë mbajtur atë të lokalizuar deri në momentin që ka intervenuar Policia.

Njësia policore që doli në vendin e ngjarjes, ka arrestuar të dyshuarin, ndërkohë që anëtari i familjes ka pranuar tretman mjekësor për shkak se ka pësuar lëndime gjatë përleshjes.

I dyshuari është një 23-vjeçar dhe i njëjti me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer