E premte, 4 Tetor, 2024

I mituri ther aksidentalisht me thikë shokun e tij , dërgohet me urgjencë në QKUK

Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve, por ka herë kur ndodh që aksidentalisht shkaktojnë lëndime te personat e tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Poklet të Ri të Drenasit, ku dy nxënës të shkollës së mesme teknike ‘Fehmi dhe Xhevë Lladrovci’ janë përfshirë në një incident.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kohës që po qëndronin në një kafene afër shkollës, në lojë e sipër, i mituri dyshohet se ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe aksidentalisht e ka therur shokun e tij.

17-vjeçari është dërguar me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas dhe pas dhënies së ndihmës së parë, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë arrestuar të dyshuarin.

I mituri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencë të avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer