Ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar veprimin e ish-deputetit të VV-së, Agim Bahtiri, i cili sipas saj, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit, kishte kërkuar nënshkrime në Kuvend.
Në një deklarim për Klan Kosova, Lushaku-Sadriu tha se sjellja e Bahtirit atë natë “e shpërfaq komplet kulturën politike” të Lëvizja Vetëvendosje.
“Deri aty janë në gjendje me ardhë, me aktru në natën e fundit edhe me kriju skena. Kjo e shpërfaq komplet kulturën politike që e ka Vetëvendosje. I çon disa akterë atje për ta prishur rendin, ashtu siç ka dashur ta prishë rendin kushtetues. Hyn aty në konferencë me bë teatër, në natën e fundit, një orë para se të kalojë afati, kjo është joserioze”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu e cilësoi situatën si “fatkeqësi”, duke pretenduar se Bahtiri kishte qenë “gjysmë i pirë”.
“Është fatkeqësi se ty të vjen një njeri që është gjysmë i pirë dhe të kërkon diçka, e që është vërtet irrituese. Ne me seriozitetin më të madh dolëm për të folur të shqetësuar edhe një orë po kalon afati për zgjedhjen e presidentit, ata bënin hajgare nga kati në kat në Kuvend të Kosovës. Keqtrajtim total i institucioneve të Kosovës dhe vërtetë është fatkeqësi”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se ishte ballafaquar me një situatë që, sipas saj, ishte krejtësisht joserioze.
“Jam ballafaquar me një njeri joserioz. Ai thoshte që më ka dërguar z. Kurti, por ku e di unë. Kjo është totalisht joserioze, mu duk sikur ka ardhur dikush ‘më ka dërguar nana një vezë se po na mungon në shtëpi’”, deklaroi Lushaku-Sadriu.