E enjte, 30 Maj, 2024

Kur do të fillojë faturimi sipas shpenzimit, flet Kryeshefi Osmani

Mbi 22 për qind është rritur inkasimi këtë vit i Ngrohtores së Kryeqytetit “Termokos”, krahas me vitin paraprak. E këtë vit, në rrjet synohet të kyçen edhe 22 mijë qytetarë tjerë. Kështu ka bërë të ditur kryeshefi i Ngrohtores, Fisnik Osmani.

Ai ka folur edhe për stokun e borxhit dhe zgjerimin e rrjetit në lagje tjera të Prishtinës. Si prioritet, Osmani thekson se e kanë fillimin e procesit të faturimit me matje dhe zgjerimin e kapaciteteve në disa lagje të Prishtinës.

“Prioriteti ose top prioriteti për sezonin e ardhshëm është që të fillojmë mbarë procesin e faturimit me matje, pra ky është fokusi primar momentalisht i ngrohtores. Pra po i bëjmë të gjitha përgatitjet kemi filluar me kohë në mënyrë që të mos kemi probleme në matje vitin e ardhshëm. Përveç pjesës së matjeve ne kemi prioritet të përhershëm zgjerimin e ‘Termokosit’”, u shpreh Osmani, teksa shpreson që gjatë këtij viti me ndihmën e nivelit qendror ta zgjerojnë rrjetin e ngrohjes edhe për 12 mijë qytetarë tjerë.

“Kemi bërë projektin për zgjerimin në pesë pika ose pesë lagje tjera të Prishtinës, po tentojmë me nivelin lokal dhe qendror që të na ndihmojnë në zgjerimin e rrjetit. Gjatë kësaj periudhe në mënyrë që në tetor Termokosi të jetë më i fuqishëm dhe më i zgjeruar dhe të ofrojë shërbim të paktën edhe për 12 mijë qytetarë tjerë në Prishtinë që nuk është pak. Edhe paralelisht me këtë po punojmë edhe në dy drejtime tjera fillimisht do bëjmë analizën termike për krejt qytetin pra dëshirojmë ta dimë se sa megavat i duhet Prishtinës dhe ku do i marrim ata megavat tjerë pra jemi të interesuar që përmes një analizë profesionale ta bëjmë një gjë të tillë dhe e dyta t’i krijojmë të gjitha parakushtet që gjatë vitit 2024 t’i mbyllim procedurat që në fundvit ose fillimvitin e ardhshëm të fillojmë projektin më të madh energjetik në fushën e energjisë termike përmes paneleve solare”, u shpreh Osmani.

Kryeshefi i “Termokosit”, thotë se ka kohë që kanë nisur procesin e instalimit të matësve nëpër radiatorë.

Thotë se kjo u jep një pasqyrë të qartë për shpenzueshmërinë e qytetarëve.“… përveç pjesës së instalimeve ne kemi marrë prej 15 tetorit të vitit të kaluar impulse dhe të dhëna prej radiatorëve dhe prej matësve të pajisjeve tona të matjes në secilën njësi të banimit që nënkupton kemi bërë analiza muaj për muaj dhe i kemi të dhënat e sakta të trajektores së si po lëviz edhe konsumi por edhe pjesa tjetër, kursimi i qytetarëve. Pasi i kemi instaluar pajisjet tona, ajo çka del është diçka që e kemi pritur. Ai konsumator i cili kursen energji termike do të paguajë më pak po edhe në të kundërtën dikush që nuk kursen energji do të paguajë më shumë dhe ne kemi pasur një dakordim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që sezona 2023/24 të jetë sezonë e testit në mënyrë që të evitojmë të gjitha gabimet potenciale, teknike”, u shpreh Osmani.

Kënaqëshmëri Osmani thotë se ka edhe sa i përket mënyrës së pagesave nga konsumatorët, me një rritje prej 22 për qind nga viti paraprak.

“Mund të them se jemi të kënaqur me pagesën e konsumatorëve ndaj Termokosit pra kemi konsumatorë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm ndaj faturave ndaj obligimeve që i kanë për shërbimin që po e ofron ngrohtorja në vitin e fundit në këtë sezonë deri tani kemi rritje të inkasimit diku rreth 22 për qind e që është njëra ndër vlerat më të larta ndonjëherë e kjo nënkupton që ngrohtorja krijon stabiliteti financiar mirëpo jo të nivelit të tillë që mund të investojmë me këto mjete, në kuptimin e investimit masiv siç ka qenë projekti me bankën zhvillimore gjermane”, thotë Osmani, teksa përmend edhe borxhin që kanë konsumatorët ndaj “Termokosit”.

Ai thotë se për disa veçse kanë filluar edhe procedurën e përmbarimit.

“Stoku i borxhit e kalon dikund 18 milionë dhe ne gjatë kësaj periudhe përmes shërbimit juridik brenda në ngrohtore të cilët po e bëjnë një punë të jashtëzakonshme kemi filluar tendencën për me e marrë borxhin tonë përmes vërejtjeve, përmes procedurave të përmbarimit dhe mund të them se qytetarët gjatë kësaj periudhe janë përgjigjur pozitivisht tendencave dhe pjesës të cilën po mundohemi me marr”, deklaroi ai.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer