Burimet e Sinjlit nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që po dyshohet për këtë rast është B.B, 51-vjeçar nga Gjilani , i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor, nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrimi’.
Gjatë procesit të hetimit, është zbuluar se i njejti e ka shitur dy herë një banesë në rrugën “Idriz Seferi” në Gjilan, duke përfituar shuma të mëdha parash. Fillimisht ai e kishte shitur këtë banesë në vitin 2005 e më pas edhe në vitin 2014. Herën e fundit, siç merr vesh Sinjali, ai ka marrë hiç më pak se 13 mijë euro.
Pas arrestimit, i dyshuari e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet, e të cilën e ka arsyetuar, duke deklaruar se me paratë që ka përfituar ka shlyer disa borxhe që ka pasur.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, teksa veprimet tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.