Këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri ka bërë thirrje publike për të ndihmuar financiarisht veprimtarin, ish-të burgosurin politik dhe ish-eprorin e UÇK-së, Gani Koci, i cili po përballet me kancerin.
Tahiri ka njoftuar se ka dhuruar 1.000 euro dhe ka kërkuar që, me kontributin e qytetarëve, veteranëve, veprimtarëve dhe diasporës, të mblidhen rreth 50 mijë euro për trajtimin e Kocit.
Sipas tij, Gani Koci është një nga veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare, i arrestuar në vitin 1981 si një nga organizatorët e demonstratave shqiptare, i dënuar me 15 vjet burg dhe më pas pjesëtar e epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ndiej përgjegjësi për ta ndihmuar, sepse ai e ndihmoi familjen time dhe shumë familje shqiptare me sakrificën e tij, me shokët e tij dhe me vitet e rinisë që ia kushtoi lirisë së Kosovës. Sot është koha që edhe ne të bëjmë diçka për të”, ka shkruar Tahiri.