Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zgjedhur të mos u kundërpërgjigjet me të njëjtën gjuhë zyrtarëve të lartë të PDK-së, Uran Ismajli dhe Vlora Çitaku, të cilët deklaruan se brenda partisë së tyre nuk ka vullnet për afrim me Limajn.
Uran Ismaili, kishte deklaruar se “nuk ka pasur disponim brenda PDK-së që të ketë ndonjë përafrim me Limajn”, ndërsa Vlora Çitaku u shpreh prerë se “nuk diskutohet fare çështja e Limajt”.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve, Limaj ka deklaruar se prioritet mbetet bashkimi i opozitës përballë situatës në vend, duke shprehur hapur mbështetjen për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër.
“Besoj që sot është lluks me u marrë me njëri-tjetrin nëse ne themi që Kosova është në rrugën e keqe. Nëse Kosova është në rrugën e keqe të bashkohemi kush me kënd me kanë më të afërt me njëri-tjetrin, të maksimalizojmë vullnetin e atyre që besojnë si ne edhe të mos lejojmë të bëhet më keq Kosova. Me këtë logjikë edhe unë edhe strukturat që i drejtoj kemi vepruar edhe në dhjetor edhe tani, e shprehim vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkim,” ka thënë Limaj.
Limaj tha se synimi i tij është shkrirja në një formacion të përbashkët për të parandaluar humbjen e votave dhe për të forcuar alternativën qeverisëse.
“Ne jemi të interesuar me u bashku dhe mu shkri në një formacion të përbashkët me dhanë kontributin tonë dhe me fuqizu. Me i bashku ideologjitë, votat mos me ikë asnjë votë që mund të forcojë dhe shërbejë kësaj alternative politike me shpresën që nesër t’i jepet mundësia me qeveris vendin. Besoj që e ka kandidatin më të mirë për kryeministër, Bedri Hamzën, me këtë që e shoh çka ka në ofertat e partive politike,” deklaroi Limaj në Debat Plus, përcjell Insajderi.
Ai paralajmëroi se do të nisë hapa konkretë zyrtarë për këtë bashkim, pavarësisht zërave kundërshtues brenda PDK-së, duke thënë se do të dërgojë edhe letër zyrtare për të shprehur vullnetin e tij.
“Ne jemi duke e shprehur vullnetin, duhet edhe prej anës tjetër – ka vullnet bëhet, nuk ka nuk bëhet. Këta njerëz që ne i dëgjuam (Ismaili, Çitaku e Gruda) – a ka a s’ka nuk e di. Ne nuk kemi pasur komunikim me Bedri Hamzën. Nga nesër unë do të komunikoj edhe me letër, të shpreh vullnetin që jam i gatshëm për një gjë të tillë ta bëjmë bashkë. Ta mobilizojmë votën, dhe duhet të largohemi nga kjo logjikë diferencuese ose përjashtuese. Ne nuk pëlqehemi nga të gjithë, as më pëlqejnë. Nëse nuk ka vullnet me u bë, gjithmonë gjenden arsye. Unë besoj që qeky vend ka nevojë për një ndryshim dhe qeverisje ndryshe“, u shpreh kreu i Nismës.