E mërkurë, 24 Korrik, 2024

Milovan Dreçun: Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, rezultat i punës sonë

Serbia, përmes zyrtarëve të saj, përfshirë këtu ambasadorin e saj në Zvicer Milan Protic dhe ish kryeprokurorin për krime lufte, Vladimir Vukcevic, në vitin 2009 i kishin dhënë senatorit Dick Marty dokumente kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa zyrtarë të shtetit serb kanë folur për bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Specializuar në Hagë.

Milovan Dreçun, Kryetar i Komitetit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, thotë se aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, rezultat i punës së tyre.

“Aktakuza kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, është kryesisht rezultat i punës sonë. Për disa arsye. Në aktakuzë, veprimi i UÇK-së terroriste definohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, në të cilën, sipas aktakuzës, anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ministra e zëvendësminitra të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, komandantë të zonave operative dhe zëvendës të tyre, komandantë të shtabeve, brigadave, njësiteve, komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së, dhe ushtarë të tjerë. Pra, e gjithë struktura e UÇK-së. Nga kjo aktakuzë shihet se organizata terroriste UÇK është organizatë kriminale”, thotë Dreçun.

Analisti Dukagjin Gorani, duke folur në dokumetarin “Manipulimi Special”, transmetuar në Opinon/TV Klan dhe Albanian Post-Tiranë, thotë se fakti që Gjykata Speciale i adresohet llojit të njeriut si Milovan Drecun, shumë më shumë flet për këtë gjykatë sesa për ndonjë mundësi që ky institucion vërtet ta nxjerrë në sipërfaqe një lloj të drejtësisë”.

“Drecun është futur në histori, së paku në vitet ’90, në Serbi, si një sharlatan, si një pseudo-njohës i zhvillimeve politike, por mbi të gjitha si një militant i ndoshta rrymave më primitive që i ka bartur krejt pushteti i atëhershëm i Slobodan Milosevic. Drecun dhe të tillët nuk janë marrë seriozisht as në opinionin publik serb, madje as në opinionin publik serbomadh, gjatë viteve ’80 dhe ’90. Dhe fakti që një institucion që ishte dashur të jetë i respektuar çfare është Gjykata Speciale i adresohet llojit të njeriut si Milovan Drecun, i cili pastaj del në media dhe shet mend që ai ka qenë njëri ndër burimet e ofrimit të informacioneve për Gjykatë Speciale, shumë më shumë flet për Gjykatën Speciale, shumë më shumë flet për krejt këtë përpjekje – për mua – dëshpëruese për ta përmbyllur një aspekt kontabilistik të intervenimit ndërkombëtar sesa që flet për ndonjë mundësi që ky institucion vërtet ta nxjerrë në sipërfaqe një lloj të drejtësisë”, thotë Gorani.

Profesori i filozofisë, Astrit Salihu, ndërkaq, konsideron se me involvimin e Prokurorisë së Serbisë në punët e Gjykatës Speciale, përbën një lloj të manipulimit.

“Nëse rikujtojmë fillimisht gatishmërinë e njerëzve që sot janë atje në Hagë, janë vetë ata njerëz që kanë qenë të gatshëm për ta themeluar një Gjykatë të tillë. Gatishmëria e tyre ka ardhur dhe ka qenë e motivuar prej faktit se ata kanë besuar në drejtësi, dhe kanë qenë të sigurt se një Gjykatë Speciale do të ishte ajo që faktikisht do ta sillte drejtësinë dhe do t’i ndriçonte të gjitha ato për çka spekulohej asokohe në aktakuzat që sidomos kanë qenë të përmbledhura në Raportin e Dick Marty-t”.

“Mirëpo, asokohe, me themelimin e Gjykatës, ne pamë, tashmë veç jemi dëshmitarë, të involvimit të drejtpërdrejtë të Prokurorisë Speciale të Serbisë në manipulimin e faktve dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Prokurorisë për Krime Lufte të Serbisë në konstruktimin e këtyre fakteve. Pra, kjo thjesht përbën një lloj të manipulimit, një lloj të ndërhyrjes, një lloj të përzierjes së duarve të Prokurorisë së shtetit serb në një Gjykatë që e ka themeluar Kosova. Kjo vetëvetiu përbën njëfarë manipulimi”, thotë Astrit Salihu.

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer