E shtunë, 9 Nëntor, 2024

Ministri Maqedonci i shkruan letër Kurtit: Nuk e nënshkruaj tenderin për ushqim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk e ka ndërmend ta nënshkruaj tenderin për ushqim, të cilin zëvendësi i tij, Shemsi Syla, e kishte klasifikuar si konfidencial.

Gazeta Nacionale ka mësuar se vendimin e tij që këtë tender me shumë probleme të mos e nënshkruaj, ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ia ka transmetuar edhe kryeministrit Kurti.

Burimet e Nacionales brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se kryeministri Kurti sot ka pranuar një letër nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Sipas burimeve nga Qeveria, në këtë letër, Maqedonci ia ka përmendur kryeministrit Kurti të gjitha problemet që ka në vete tenderi për ushqim i cili i ishte dhënë kompanisë “Hajdini”.

“Në letër ministri e informon kryeministrin se nuk do ta nënshkruaj tenderin. Ministri i ka përmendur të gjitha problemet që ka ky tender”, ka thënë ky burim nga Zyra e Kryeministrit për Nacionalen.

Nacionale ka mësuar se në mesin e problemeve të përmendura, është edhe fakti se kompania Bylmeti, e cila ishte përfshirë në tender nga Hajdini, e ka mohuar të ketë qenë e interesuar për këtë tender.

Madje, kompania Bylmeti kishte kërkuar anulimin e tenderit, duke e akuzuar Hajdinin për përfshirje të paautorizuar në tenderin me vlerë 2.1 milionë euro.

Për këtë, kishte raportuar edhe Klan Kosova pak ditë më parë.

Në fakt, me faktin se zv/ministri Shemsi Syla kishte tentuar ta bëjë sekret këtë tender, me paralajmërimet për padi nga Bylmeti, tashmë ministri Maqedonci i ka dalur kundër eksponentëve të VV-së në ministri, dhe nuk do ta nënshkruajë tenderin.

Këtë e la të kuptohet edhe me një postim në rrjetin social facebook vetë ministri Maqedonci. Ai bëri të ditur se tash janë në pritje të përfundimit të procedurave për rekrutimin e kuzhinierëve.

“Për të adresuar këto sfida të përsëritura, unë, së bashku me Komandantin e FSK-së, kemi kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së. Përmes këtyre veprimeve, synojmë të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

“Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së”, shkroi ai.

Ministri Maqedonci edhe në raportimin e tij në Komisionin për Siguri e pranoi se tenderi ka pasur shumë probleme, dhe e konfirmoi se tenderi ishte klasifikuar. Ai i la të hapura edhe mospajtimet me zv/ministrin Shemsi Syla.

Ditë më parë komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i shkroi letër Maqedoncit duke paralajmëruar pezullimin e të gjitha aktiviteteve, si rezultat i rrezikut të helmimit.

Nacionale kishte raportuar e para për dyshimet për dallavere lidhur me këtë tender./Nacionale

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer