E premte, 4 Tetor, 2024

“Morrën paga 1,200€ me vendim të shfuqizuar”, Raporti i Auditimit zbulon dhjetëra shkelje ligjore në “Pastrimi Sh.A”,

Raporti i fundit i auditimit nga auditori i jashtëm për Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi Sh.A’ me seli në Prishtinë ka zbuluar një numër çështjesh kritike që ndikojnë në menaxhimin dhe performancën e ndërmarrjes, shkruan portali rajoni.org.

Gjetjet përfshijnë probleme të mëdha me proceset e rekrutimit të rregullt, ndarjen e tenderëve dhe mos planifikimin e procedurës së hapur, mospërputhje e gjendjes së pasurive në pasqyrën e pozicionit financiar dhe komisionit verifikues të pasurisë, tejkalimi i buxhetit të zotuar për Kontratë Publike Kornizë.

Çështjet Kyçe të Evidentuara

Kompensime të zyrtarëve me vendim të shfuqizuar

Zyrtari Kryesor Financiar, Sekretari dhe Zyrtari i Auditimit të Brendshëm kanë marrë pagë në vlerë 1,200€ nga data 27.06.2023, përkundër vendimit të shfuqizuar të datës 27.06.2023 zyrtarët e lartë cekur kanë vazhduar të paguhen 1,200€ pagë për secilin muaj në vazhdimësi.

Po ashtu, kontrata për pozitën e Këshilltarit të Kryeshefit Ekzekutiv nuk ishte në harmoni me rregulloren për paga, kompensime dhe udhëtime zyrtare në fuqi, ku kjo pozitë sipas kontratës është me pagë 900€, ndërsa në rregullore paga është 767€.

Tejkalimi i buxhetit të zotuar për Kontratë Publike Kornizë

Sipas, ZKA’së Në vitin 2021, Kompania “Pastrimi” kishte nënshkruar kontratë kornizë për 36 muaj “Furnizim me naftë verore dhe dimërore” në vlerë të parashikuar 2,100,000€. Gjatë testimit kemi vërejtur se janë bërë furnizime me naftë në vlerë 2,568,860€ apo 22,33% më shumë se vlera e kontratës, duke anashkaluar kriterin e kontratës ku është paraparë se kontrata përfundon në momentin kur shpenzohet buxheti i zotuar.

Ndarja e tenderëve dhe mos planifikimi i procedurës së hapur

ZKA analizuar raportin e kontratave të nënshkruara dhe ka vërejtur se edhe këtë vit vazhdon praktika e njëjtë se për llojin e njëjtë të furnizimeve/shërbimeve ishin realizuar disa procedura të prokurimit duke rezultuar me ndarje të tenderëve për të njëjtin furnizim/shërbime, si:

Për natyrën e njëjtë të kontratave për riparime të automjeteve kompania kishte nënshkruar:

* Për shërbime dhe furnizime të njëjta për mirëmbajtje të automjeteve janë kontraktuar kontrata katër (4) kontrata në vlere totale 6,099€. Prej tyre tri (3) kontrata ishin me vlera minimale në total 2,670€, dhe një (1) me vlerë të vogël 3,399€.
* Për furnizim me pjesë për automjete, kompania kishte realizuar nëntë (9) kontrata me vlerë totale 31,873€ prej të cilave pesë (5) kontrata ishin me vlerë minimale 4,736€ dhe katër (4) me vlerë të vogël 27,137€.

Po ashtu, “Pastrimi Sh.A” kishte bërë furnizime të shpeshta për material dhe pajisje të vogla me vlerë nën 100€ të dedikuara kryesisht për makinerinë e saj, nga OE të ndryshëm, për të cilat nuk kishte lidhur ndonjë kontratë për këto furnizime. ZKA ka vërejtur që shuma e furnizimeve të ngjashme të blerjeve për vitin 2023 ishte 8,929€ nga një operator i vetëm ekonomik.

Mangësi në proceset rekrutimit për staf të rregullt

Gjatë testimit të procedurave të rekrutimit [Konkurseve], ZKA ka hasur këto mangësi:

• Për pozitën “Sekretar i Bordit të Drejtorëve”, Zyrtarë Ligjor, Asistent/e Ekzekutive, Menaxher i Njësisë Operative në Prishtinë, Sekretar i Bordit të Drejtorëve si dhe Pozita Manipulant në Sektorin Komercial “Asistent/e Ekzekutive”- janë vërejtur:
◦ Nuk ishin përgatitur nga pesë (5) pyetje të veçanta nga secili anëtarë i Komisionit Përzgjedhës dhe nuk ishin mbajtur shënime gjatë testimit me gojë – intervistë për përgjigjet e dhëna nga kandidatët;
◦ Në çelësin e testit me shkrim ku janë pyetjet dhe përgjigjet e sakta, mungon vlerësimi i pyetjeve se sa pikë ka secila pyetje. Po ashtu, edhe në dosjen origjinale të arkivuar mungon çelësi i pyetjeve dhe përgjigjeve të testit me shkrim; dhe
◦ Nuk kemi hasur kërkesë nga njësia kërkuese për fillimin e procedurave të rekrutimit
• Tek pozita “Manipulant”, kandidati fitues nuk ka dhënë përgjigje të sakta në dy pyetje dhe ishte vlerësuar me gjysmën e pikëve.
• Tek pozita “Menaxher i Njësisë Operative” njëri nga kandidatët ishte vlerësuar me pikë maksimale (15 pikë) edhe pse nga katër (4) përgjigje të sakta i kishte rrumbullakuar vetëm tri (3) përgjigje të sakta
• Tek pozita “Zyrtar Ligjor”, dy aplikacione janë lejuar për procedura të rekrutimit më tutje pavarësisht që nuk kishin plotësuar kriterin edukimit, ku ishte kërkuar fakulteti juridik.

Mospërputhje e gjendjes së pasurive në pasqyrën e pozicionit financiar dhe komisionit verifikues të pasurisë

Kompania “Pastrimi” nuk ka arritur të harmonizoj shënimet kontabël me gjendjen pas regjistrimit të pasurive. Ekziston mospërputhje mes gjendjes faktike të pasurisë, evidencave kontabël dhe raportit të komisionit të inventarizimit të pasurisë.

ZKA ka vërejtur si në vijim:

•   Në evidencat kontabël ende figurojnë pasuri me vlerë neto 138€ dhe zhvlerësim të periudhës në vlerë prej 8,246€, të cilat janë shitur për mbeturina gjatë gjysmës së parë të vitit 2022;
•   Pasuri me vlerë neto 3,065€ dhe me zhvlerësim të periudhës prej 3,586€ të cilat komisioni i kishte evidentuar si pasuri të humbura në raportin e komisionit vlerësuar të vitit 2022, figurojnë ende në evidencat kontabël;
•   Rrjedhimisht vlera e pasurisë e prezantuar në PFV ishte mbivlerësuar për 3,203€ e po ashtu edhe shpenzimet e zhvlerësimit për 11,832€; dhe
•  Komisioni verifikues i pasurisë të kompanisë, në regjistrat e pasurive kishin regjistruar vetëm me sasi pasuritë të ndryshme pa u identifikuar me ndonjë kod të veçantë, gjë që ka pamundësuar krahasimin e regjistrit të komisionit verifikues me regjistrat kontabël të pasurive.

Ky raport ka sjellë 8 rekomandime për përmirësim, duke përfshirë nevojën për rivlerësim të rregullt të pasurive, përmirësim të menaxhimit të kontratave me klientët dhe rritje të transparencës në proceset financiare.

Me një vëmendje të shtuar ndaj këtyre çështjeve, “Pastrimi sh.a” duhet të ndërmarrë masa të shpejta dhe efektive për të përmirësuar gjetjet dhe për të siguruar një menaxhim më të mirë dhe të qëndrueshëm për qytetarët e Prishtinës. Siç shihet brenda raportit, ‘Pastrimi’ është pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer