Një person ka humbur jetën si pasojë e një gjuajtje me armë zjarrin sot rreth orës 13:30 në lagjen Arbëria në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e therjes me thikë, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të ndalohen dy të dyshuar, të cilët aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave A.M dhe M.M , nën masat e sigurisë nga Polica, pasi që gjinden në trajtim mjekësorë. Të njëjtit dyshohen për veprën penale “ Vrasje e rëndë”, sipas KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e njërit prej të lënduarve është më serioze dhe i njëjti po trajtohet nën përkujdesjen e mjekëve, ndërsa i lënduari tjetër, pas marrjes së tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi.
“Zyra për Medie ju konfirmon se dy persona të lënduar kanë marrë trajtim mjekësor nga stafi mjekësor i Klinikës Emergjente. Njëri nga ta pas trajrimit nga ortopedi është liruar nga emergjenca, kurse tjetri me lëndime më serioze po vazhdon trajtimin nga ekipi mjekësor në kuadër të Klinikës së Kirirgjisë Torakale”, thanë nga SHSKUK për Sinjalin.
Ndryshe, lidhur me ngjarjen tragjike kanë folur për Sinjalin edhe nga hotel ‘Adria’, ku fillimisht u raportua se ka ndodhur vrasja.
Por kjo është mohuar nga stafi i hotelit, të cilët thanë për Gazetën Sinjali se e gjithë ngjarja ka ndodhur jashtë hapësirave të cilat janë në pronësi të ‘Adria-s’.