Opozita në Skënderaj sot ka gozhduar pushtetin e Fadil Nurës dhe kryesuesen e kuvendit, e cila u shfaqte me nervozizëm në situata të caktuara e posaqërisht kur ishte në pyetje transparenca e punës së kuvendit respektivisht kërkesës së asamblistëve, Afrim Kabashit dhe Naser Bajraktarit.
Kabashi ngriti çështjen se përse komuna tash nuk ka të angazhuar një mjet informimi lokal që do t’i transmetonte seancat e asamblesë. Kryesuesja të njëjtin nervozizëm e shfaqi edhe ndaj pyetjes së Naser Bajraktarit për një raport të EKO natyrës, aksionar i së cilës është komuna, raporton portali “Rajoni.org”
Në fillim të seancës opozita e “mbështeti për muri” kryetarin lidhur me mënyren se si komuna e ka menaxhuar gjendjen emergjente pas vërshimeve, sepse sipas opozitës e ka anashkaluar këtë të fundit dhe kuvendin rreth këtij menaxhimi. Sipas Musa Fazliut komuna këto komisione i ka formuar në rrugë e jo aty ku duhet.
Për këto, Nura u shpreh se ia lejon ligji dhe se askush nuk e ka penguar opozitën që të punojë në këtë drejtim, mirëpo sipas tij ai ka ndër mend, që raportin e atyre komisioneve ta sjellë në kuvend për miratim. Për kërkesën e opozitës për shqyrtim të punës në kohën e pandemisë dhe atë të VV-ës për t’i falur 100 euro tatimpaguesve të Skënderajt, kryetari tha se nuk kanë baza ligjore.
Duke iu përgjigjur akuzave të Nurës lidhur me mosangazhimin e opozitës për të ndihmuar popullatën pas vërshimeve Abdulla Gashi nga Ideali ka theksuar që ne jemi angazhuar, por jo nën petkun e partisë siç ka bërë PDK-ja, ku gjatë pandemisë kjo parti ka shpërndarë ndihma me logon e saj.
Ndërsa sa i përket raportit të buxhetit, Alketa Mecini ka kritikuar komunën për ulje të buxhetit në shëndetësi, kurse mjetet për laboratorë në AMF dhe QKM u kanë shkuar në suficit. Pati edhe shumë pyetje të asamblistëve për të cilat pushteti nuk pati përgjigjje konkrete, mirëpo që vlen të theksohet ishte ajo e Ilir Ejupit. Pyetja e Ejupit ishte lidhur me përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar për vendimet e gjykatave në dëm të komunës, të cilat kësaj të fundit ia kanë marrë 145 mijë euro.
Ejupi këtu ka cekur rastin e mësimdhënësit të larguar nga puna për bindje politike, Riza Çitakut, të cilin ish-pushteti i Nurës e kishte larguar pa kurrfarë baze dhe si pasojë e kësaj, komuna të njëjtit i është dashur t’i paguajë 45 mijë euro. Burime të “Rajonit” tregojnë se i njëjti ka ushtruar sërish padi ndaj komunës pasi që ky pushtet nuk ka plotësuar të gjitha obligimet që kanë dalë nga ky vendim e posaqërsisht aty ku cekët vendimi për lartësinë e pagës.
Diçka që ra në sy gjatë kësaj seance ishte edhe shuma e lartë prej 250 eurove pagesë për një person të shoqërisë civile, i cili sipas drejtorit të financave duhet të paguhet aq për një pjesëmarrje në komision./Rajoni.org/