Wednesday, April 29, 2026

“Nuk po i zbaton vendimet e OSHP’së”, Operatori akuzon komunën e Vushtrrisë së anuluan tenderi për t’i dhënë “shans të dytë” operatorëve të tjerë

Tenderi për servisimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve mjekësore në QKMF “Dr. Safet Idrizi” në Vushtrri, me vlerën e përgjithshmë të parashikuar 108,000 euro, ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), pas akuzave të kompanisë “Pro Medical” SH.P.K. për shkelje të rënda ligjore nga ana e Komunës së Vushtrrisë, shkruan rajoni.org.

Sipas ankesës, fillimisht Komuna e udhehequr nga Ferit Idrizi, e kishte shpallur “Pro Medical” si fituese për Lot II të këtij tenderi, ndërsa për Lot I ishte rekomanduar një operator tjetër. Vendimet përkatëse ishin marrë më 29 tetor 2025. Megjithatë, pas kërkesës për rishqyrtim nga ana e “Pro Medical” lidhur me Lot I, Komuna kishte vendosur të anulojë të gjithë tenderin, përfshirë të dy lotet.

Kjo kompani në ankesën e saj pretendon se ky anulim është bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregulloret në fuqi, duke theksuar se OSHP ka nxjerrë disa vendime (2025/1237, 2025/1250 dhe 2026/0103) ku është kërkuar që rasti të kthehet në rivlerësim. Sipas tyre, pavarësisht këtyre vendimeve, Komuna ka vazhduar të përdorë të njëjtat arsyetime për anulim, duke mos i zbatuar vendimet e OSHP-së.

Në ankesë thuhet se arsyetimet e Komunës për eliminimin e kompanisë, që lidhen me validitetin e ofertës dhe sigurimin e tenderit, janë shqyrtuar tashmë nga OSHP dhe janë konsideruar si të pabazuara. Për këtë arsye, “Pro Medical” i cilëson këto çështje si të “gjykuara” dhe të papërsëritshme.

Një nga pikat kryesore të kontestit është pretendimi i Komunës se oferta e kompanisë nuk ka pasur validitet të vazhdueshëm. Mirëpo, “Pro Medical” argumenton se, sipas rregullores për prokurim publik, është detyrë e Autoritetit Kontraktues që të kërkojë zgjatjen e validitetit të ofertave dhe sigurimit të tenderit. Kompania thekson se Komuna nuk ka bërë një kërkesë të tillë zyrtare, ndërsa vetë kompania ka vepruar në mënyrë vullnetare duke e zgjatur validitetin e ofertës dhe sigurimin e saj.

Sipas tyre, është e papranueshme që një operator ekonomik të penalizohet për mosveprime të autoritetit kontraktues. Ata në ankesën e tyre shtojnë se kjo qasje cenon parimet themelore të prokurimit publik, si barazia, proporcionaliteti dhe transparenca.

Një tjetër çështje e ngritur në OSHP nga operatori ndaj Komunës së Vushtrrisë është pretendimi i Komunës për mungesë të mjeteve financiare. “Pro Medical” e kundërshton këtë arsyetim, duke deklaruar se projekti ka pasur buxhet të planifikuar dhe të miratuar për disa vite, me mjete të ndara në kategori të shpenzimeve për sektorin e shëndetësisë. Sipas kompanisë, anulimi i tenderit për këtë arsye është i pabazuar dhe në kundërshtim me ligjin.

Madje, kompania përmend edhe hapjen e një tenderi tjetër me vlerë shumë më të madhe nga Komuna, duke ngritur dyshime se mjetet financiare ekzistojnë dhe se anulimi i këtij tenderi mund të ketë motive të tjera.

Në ankesë pretendohet se qëllimi i anulimit mund të ketë qenë rihapja e tenderit me kritere të ndryshuara, për të favorizuar operatorë të caktuar. “Pro Medical” e cilëson këtë si tendencë diskriminuese dhe shkelje të parimeve të konkurrencës së ndershme./Rajoni.org/

 

Screenshot

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer