Edhe 26 vjet pas përfundimit të luftës, mungesa e ujit të pijshëm vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen qytetarët e Skënderajt. Ndonëse janë ndërruar qeveri qendrore e lokale dhe janë premtuar zgjidhje të shumta, problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur, shkruan rajoni.org.
Ishte përpjekja shekullore e popullit tonë, e kulmuar me luftën e UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, së bashku me ndihmën e NATO-s, që ndikuan që Kosova të realizojë lirinë e shumëpritur.
Pra, u bë realitet qëllimi shekullor i banorëve shqiptarë të këtyre trojeve, që një herë e përgjithmonë këtë vend ta ngrohin rrezet e lirisë, të fituar me shumë sakrifica e gjak.
Sot, të gjithë ne që po i shijojmë rrezet e lirisë, e kanë borxh ndaj gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë drejtim e posaçërisht ndaj gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, që ta ruajnë dhe ta zhvillojmë këtë vend.
Mirëpo, se si jemi duke u sjellë në përgjithësi në këtë drejtim është diçka tjetër.
26 vjet pas luftës, Skenderaj përballet me mungesë të ujit të pijshëm dhe kjo mungesë është e theksuar pothuajse në çdo pjesë të kësaj treve, sepse askush deri sot nuk ka pasur vullnetin që këtë problem ta zgjidhë një herë e përgjithmonë.
Shumë e vërtetë është që qeveria e Kurtit nuk ka dhënë mjete për të realizuar ujësjellësin në Brus, por kjo qeveri nuk ishte më herët, ndërsa ky problem ka ekzistuar që prej pasluftës dhe nuk është krijuar së fundmi.
Projektet e ndërmarra për ujësjellësin në fshatra janë realizuar në mënyrë katastrofale dhe nuk kanë funksionuar asnjëherë si duhet.
Megjithatë, shumë qytetarë të Skënderajt shpresojnë që gjatë këtij mandati të gjendet më në fund një zgjidhje e qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm. Pas më shumë se dy dekadash pritje dhe premtime të parealizuara, pritjet janë që projekti i ujësjellësit të Brusit të trajtohet si prioritet dhe të përmbyllet një problem që ka prekur breza të tërë të banorëve të kësaj ane.