Qytetarët e Skenderajt tashmë do të kenë qasje falas në internet në hapësirat publike, pasi është vënë në funksion rrjeti publik Wi-Fi në Sheshin “Adem Jashari”.
Projekti është realizuar me mbështetjen e GIZ-it dhe implementimin nga Telekomi i Kosovës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe modernizimit të qytetit.
Sipas njoftimit, ky nuk do të jetë lokacioni i vetëm që do të përfitojë nga ky investim. Në fazat e ardhshme, rrjeti Wi-Fi falas do të zgjerohet edhe në Parkun “Idriz Rreci” si dhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ky investim synon të rrisë qasjen e qytetarëve në shërbimet digjitale, të përmirësojë përvojën në hapësirat publike dhe të afrojë Skenderajn më pranë konceptit të qytetit modern dhe të lidhur teknologjikisht.