Thursday, July 9, 2026

“1620 euro për një bar që duhet ta sigurojë shteti”: Mungesa e terapisë në QKUK detyron pacientët me kancer të paguajnë mijëra euro

Mungesa e barit esencial Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë në QKUK vazhdon të shkaktojë shqetësim tek pacientët dhe familjarët e tyre. Edhe pse bëhet fjalë për një terapi jetike për pacientët me kancer, shumë prej tyre po detyrohen ta kërkojnë jashtë Kosovës ose ta blejnë me mjete vetanake, duke përballuar kosto që arrijnë në mijëra euro.

Debati u rikthye pasi gazetarja Saranda Rama publikoi se bari vazhdon të mungojë që nga muaji maj, duke theksuar se, sipas pacientëve, çmimi i tij shkon deri në qindra euro për një dozë, ndërsa është i paraparë në buxhetin publik.

Në reagimin e saj, Rama theksoi se pacientëve nuk u interesojnë arsyet administrative apo dështimet në procedurat e furnizimit.

“Pacientëve me kancer dhe familjeve të tyre nuk u intereson nëse ka dështuar tenderi apo nëse ka probleme administrative. Ata kanë nevojë për trajtim. Kjo nuk është çështje ndjenjash. Është çështje përgjegjësie,” ka shkruar ajo, duke i bërë thirrje SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të sigurojnë barnat për të cilat janë të obliguara.

Pas këtij publikimi, dhjetëra qytetarë kanë ndarë përvojat e tyre në komente, duke treguar barrën financiare dhe emocionale që po përjetojnë për shkak të mungesës së barnave.

Njëri prej tyre, Fadil Derguti, tha se është detyruar ta porosisë barin jashtë vendit, pasi nuk e ka gjetur askund në Kosovë.

“E nderuar, ky bari është 1620 euro dhe nuk gjendet fare në Kosovë. Më është dashur ta porosis në Mynih.”

Në një koment tjetër, ai ka treguar se shpenzimet për trajtimin kanë qenë shumë më të mëdha sesa vetëm blerja e këtij bari.

“Kam shpenzu dhe në fillim katër kimioterapitë e para kanë kushtuar 1200 euro, plus këto dyja 3200 euro edhe shumë sende tjera që nuk i kam evidentu.”

Ai shtoi se trajtimi nuk përfundon me disa doza, por shpenzimet vazhdojnë për një kohë të gjatë.

“Edhe pak bahet një vit shpenzime kurrë pa nal.”

 

Një tjetër qytetare, Shala Sara, ka kritikuar institucionet për situatën e krijuar, duke thënë se pacientët nuk duhet të lihen pa terapi.

“Shumë turp për këtë ministër. Me dal me shit mend para kamerave po din e me na mashtru neve popullin që nuk na duhen këto barna, po çka me bo ai i mjeri që sëmundja e ka kapur.”

Ndërkaq, Zymryte Berisha Maqastena, e cila ka humbur dy familjarë nga kanceri, tha se vetëm ata që e kanë përjetuar këtë betejë e dinë sa e rëndë është mungesa e trajtimit.

“Vetëm ata që kanë familjar të sëmurë nga kanceri e kuptojnë sa është e vështirë. Unë kam humbur djalin dhe burrin për një kohë të shkurtër, i kuptoj shumë mirë.”

Komentet e qytetarëve pasqyrojnë jo vetëm vështirësitë financiare, por edhe pasigurinë me të cilën përballen pacientët që varen nga terapia. Për shumë prej tyre, mungesa e një bari nuk nënkupton vetëm një problem administrativ, por një pengesë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në vazhdimësinë e trajtimit.

Deri më tani, institucionet shëndetësore nuk kanë dhënë një afat të qartë se kur pritet të sigurohet furnizimi me Palbociclib./Demokracia.com/.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer