E martë, 23 Prill, 2024

63-vjeçari ngacmon seksualisht të miturat afër shkollës, ekspozon organin gjenital

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se kështu po cenohet siguria. Viktima të këtyre rasteve shumë shpesh janë edhe të miturat, të cilat përballen me ngacmues edhe në shkolla e në afërsi të tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në afërsi të shkollës së muzikës, në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku dyshohet se janë ngacmuar tri nxënëse të mitura, nga një person i moshës 63-vjeçare.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur pasdite, kur i dyshuari H.H., po dyshohet se e ka ngacmuar nxënëset, dy të moshës 10-vjeçare dhe tjetra 11 vjeç, duke ekspozuar organin gjenital posa ka kaluar pranë tyre dhe për të mos mbaruar me kaq ka tentuar që komunikojë me to.

Siç mëson Sinjali, ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fakt është se i dyshuari edhe më parë ka bërë veprime të tilla dhe nuk dihet nëse ndonjë nxënëse e kësaj shkolle apo ndonjë vajzë tjetër e ka pësuar.

Përballë kësaj situate, vajzat fillimisht kanë kërkuar ndihmë nga drejtoria dhe më pas rasti është raportuar në Polici, ku të miturat kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që kishte ndodhur.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka arritur ta arrestojë edhe 63-vjeçarin e dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe dëshmive të të dy palëve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuarit të ndalohet për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Ngacmim seksual’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer